Një aksident i rëndë është regjistruar këtë të shtunë në zonën e Kënetës, në Durrës, ku një automjet ka përplasur tre fëmijë të moshës rreth 8–13 vjeç.
Sipas informacioneve paraprake, dy prej fëmijëve kanë humbur jetën si pasojë e plagëve të marra, ndërsa tjetri, i moshës 8-vjeçare, është dërguar në spital, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Mësohet se fëmijët kanë qenë duke luajtur në lagje, ku automjeti që lëvizte me shpejtësi i ka përplasur.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e emergjencës dhe policia, të cilat po punojnë për sqarimin e rrethanave të aksidentit dhe identifikimin e drejtuesit të mjetit.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 14:20, në lagjen nr. 15, në Durrës, një automjet i drejtuar nga shtetasi N. R., rreth 57 vjeç, ka aksidentuar tre fëmijë të mitur, të moshës rreth 10 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, dy prej të miturve kanë humbur jetën, ndërsa i mituri tjetër është në gjendje të rëndë dhe po transportohet për ndihmë më të specializuar në Tiranë.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.