Nga gazetari Mikele Kallanxhiu
Në një kohë kur Shqipëria pretendon se ndodhet në “të përpjetën e fundit” drejt Bashkimit Europian, Samiti i katërt i Diasporës erdhi si një tjetër moment i madh retorik, i mbushur me fjali të bukura, por me shumë pikëpyetje që mbeten pezull.
Kryeministri i vendit Edi Rama zgjodhi ta krahasojë rrugëtimin europian të vendit me përvojën e emigrantëve shqiptarë në botë . Një analogji e fortë në dukje, por që kërkon më shumë sesa simbolikë për t’u bërë realitet. Ai ftoi diasporën t’i bashkohet projektit “Shqipëria europiane në 2030”, duke e paraqitur këtë si një mision kombëtar, një thirrje për rilidhje dhe bashkëpunim.
Por pyetja thelbësore mbetet ‘’A mjafton ftesa?’’
Në fjalimin e tij, Kryeministri foli për një transformim të Shqipërisë, për një vend që ka kaluar nga hendeku në urë, nga largimi në rikthim simbolik. Një narrativë optimiste, e cila pa dyshim gjen mbështetje tek shumë histori suksesi të diasporës shqiptare. Por realiteti nuk ndërtohet vetëm mbi histori, por mbi politika konkrete, mbi garanci dhe besim të qëndrueshëm.

Përtej metaforave, diaspora shqiptare nuk ka kërkuar kurrë thjesht fjalë. Ajo ka kërkuar kushte, ka kërkuar siguri për investimet, meritokraci në institucionet akademike, transparencë në administratë dhe mbi të gjitha një shtet funksional që nuk i trajton si spektatorë sezonalë, por si pjesë reale të zhvillimit.
Po, e drejta e votës për diasporën është një hap i rëndësishëm. Por a është ajo e mjaftueshme për të ndërtuar një marrëdhënie të re? A mund të zëvendësojë ajo mungesën e një strategjie të qartë për kthimin e trurit dhe kapitalit shqiptar në vend?

Kur flitet për vitin 2030 si horizont europian, optimizmi është i mirëpritur. Por historia politike shqiptare na ka mësuar të jemi të kujdesshëm me afatet ambicioze që shpesh mbeten në letër. Europa nuk është vetëm një destinacion, por një standard dhe ky standard nuk arrihet me samite, por me reforma të prekshme.
Samiti i katërt i Diasporës solli një gjë të sigurt një mesazh të fortë politik dhe një vizion të artikuluar. Por ai la pas edhe një boshllëk , la mungesën e përgjigjeve konkrete për sfidat reale që diaspora përballet kur kërkon të lidhet me Shqipërinë.
Sepse në fund të ditës, pyetja nuk është nëse diaspora do të vijë.
Pyetja është ‘’A është Shqipëria gati ta presë ashtu siç duhet?’’
