Një konflikt i nisur jashtë ambienteve të poliklinikës ka përfunduar me plagosjen me thikë të një personi brenda Poliklinikës së Shkodrës. Sipas të dhënave paraprake, debati mes personave të përfshirë ka nisur në rrugë dhe më pas ka vijuar brenda ambienteve të institucionit shëndetësor, ku njëri prej tyre dyshohet se ka përdorur një mjet prerës duke e goditur disa herë tjetrin.
I plagosuri është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Burime nga spitali bëjnë me dije se pas operacionit gjendja e tij është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa plagët e marra nuk kanë prekur organe jetësore.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur të gjithë dinamikën e konfliktit. Uniformat blu po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, si dhe për përcaktimin e shkaqeve që çuan në përshkallëzimin e situatës.