Detaje të reja kanë dalë në dritë nga plagosja me thikë e ndodhur në ambientet e Poliklinikës së Shkodrës, ku një 18-vjeçar ka sulmuar një 32-vjeçar pas një konflikti mes tyre. Sipas informacioneve të policisë, autori i dyshuar është Arvin Fregjaj, i cili ka goditur me mjet prerës Vildan Kepëcën dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. I plagosuri u transportua menjëherë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku mori ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kohës që forcat e policisë po shkonin drejt vendngjarjes, ato morën informacion se vëllai i të plagosurit, Arben Kepëca, sapo kishte marrë vesh për ngjarjen dhe ishte nisur i armatosur me qëllim për të gjetur dhe vrarë autorin e dyshuar. Policia ndërhyri menjëherë, duke e lokalizuar 41-vjeçarin, i cili tentoi të largohej dhe hodhi armën e zjarrit që mbante me vete.
Arben Kepëca u arrestua në flagrancë për armëmbajtje dhe veprime që mund të çonin në një ngjarje edhe më të rëndë, ndërsa policia vijon kërkimet për kapjen e 18-vjeçarit Arvin Fregjaj. Hetimet janë në vijim për të zbardhur rrethanat e plota të konfliktit dhe motivet që çuan në plagosjen me thikë.