Avokati i njohur Saimir Vishaj, është ndarë nga jeta këtë të martë në ambientet e Spitalit të Traumës. Ai ishte rrëzuar pak ditë më parë nga shkallët dhe ishte dërguar me urgjencë për ndihmë mjejësore, për shkak edhe të shëndetit të dobët.
Sot, familja njofton se Saimir Vishaj ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 60 vjeçare, ndërsa miqtë e tij të shumtë, avokatë të njohur, kanë reaguar zemërthyer për këtë ikje të papritur.
Eduard Halimi
“Lamtumirë Saimir! Nuk ishim miq, ishim shokë dhe e respektonim njëri-tjetrin.
Herën e fundit u takuam para një jave në SPAK. Të dy të përmalluar pas një kohe të gjatë. Unë isha me gazetarë në kafe (Elton Qyno dhe të tjerë) dhe ti më përqafove me mall. Të pyeta disa herë për shëndetin, sepse nuk më pëlqeu gjendja në të cilën ishe. Më sigurove se ishe mirë.
Disa të donin, disa jo. Kështu ndodh me ata që nuk e shesin qetësinë e brendshme për pëlqimin e të gjithëve. Nëse të gjithë të duan, diçka nuk shkon ose me ty, ose me botën që të rrethon. Qofsh në parajsës shok. Ike herët. Do t’i mungosh avokatisë dhe familjes.”
Edmond Petraj
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tim, avokatit Saimir Vishaj. Pas një traume të rëndë dhe një beteje të gjatë me sëmundjen, ai u nda nga jeta në Spitalin e Traumës, duke lënë pas dhimbje te familjarët, miqtë dhe kolegët e tij.
Saimiri ishte një mik dhe koleg që do të kujtohet me respekt e mirënjohje. Ka njerëz që, edhe kur largohen nga kjo jetë, mbeten të pranishëm në kujtimet tona përmes miqësisë, fjalëve dhe gjurmëve që kanë lënë.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe gjithë komunitetit të avokatëve. U prehsh në paqe, miku im Saimir! Lamtumirë dhe mirënjohje për gjithçka që ndave me ne.”
Tartar Bazaj
“Jeta ndonjëherë është e pamëshirshme me njerëzit. Disa sprova janë aq të rënda, sa duket sikur dhimbja nuk mjafton kurrë. Avokati Saimir Visha u përball me një sëmundje të rëndë, një betejë të vështirë për jetën, ndërsa pak kohë më parë kishte përjetuar edhe një tjetër dhimbje personale, ndarjen nga bashkëshortja.
Sot, lajmi i ndarjes së tij nga jeta na mbush me trishtim. Është e dhimbshme të mendosh se sa shumë sprova mund të mbajë mbi supe një njeri dhe sa e brishtë është jeta jonë.
Në këto momente, fjalët janë të pakta. Mbetet vetëm respekti për njeriun, kujtimi i kolegut dhe dhimbja për një jetë të ndërprerë. U prehsh në paqe, Saimir Visha! Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij. Njeriu ikën, por kujtimi dhe gjurma që lë pas mbeten.”
Ylli Kameri
“R.I.P. Av. Saimir Vishaj
Largimi yt nga jeta është një humbje e madhe për avokatinë shqiptare dhe një kambanë alarmi për të gjithë ne, avokatët dhe profesionistët e lirë në Shqipëri.
Drejtësia nuk është privilegj i të fortit dhe as dhuratë e pushtetit. Ajo është e drejtë e çdo njeriu. Avokatia nuk është thjesht profesion, por mision për të mbrojtur lirinë, dinjitetin dhe të drejtat e njeriut. Avokati duhet të jetë i lirë përballë pushtetit, i guximshëm përballë padrejtësisë dhe besnik ndaj ndërgjegjes së tij.
Mos e matni avokatin me atë që fiton, por me atë që mbron; jo me afërsinë ndaj pushtetit, por me guximin për t’i qëndruar përballë.
Vetëm një javë më parë të takova, të qeshur, plot gjallëri, sikur të kishe ende aq shumë për të treguar për jetën dhe punën. Ky lajm është tronditës. Me gjithë zemër uroj që të mos jetë i vërtetë! Por ne jemi krijesa të Zotit dhe Atij i përkasim.
Saimir, ke lënë pas një emër që nuk do të harrohet. Guximi, thjeshtësia, forca e fjalës dhe përkushtimi yt ndaj avokatisë do të mbeten kujtim dhe shembull për kolegët. Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të gjithë atyre që të kishin për zemër. Njerëzit e mëdhenj nuk kujtohen vetëm për atë që kanë bërë, por edhe për guximin me të cilin kanë jetuar. U prehsh në paqe, Saimir! Avokatia shqiptare do të të kujtojë!”