Një shpërthim i dyshuar i Hantavirus në anijen turistike MV Hondius ka shkaktuar vdekjen e tre pasagjerëve dhe infektimin e disa të tjerëve, duke ngritur shqetësime mes autoriteteve shëndetësore ndërkombëtare. Anija me flamur holandez, e nisur nga Ushuaia më 20 mars për një udhëtim drejt Antarktidës, ndodhet aktualisht e ankoruar pranë Kepit të Gjelbër, ndërsa vijojnë hetimet.
Sipas raportimeve, një rast është konfirmuar në laborator, ndërsa pesë të tjerë mbeten të dyshuar. Nga gjashtë rastet e identifikuara, tre persona përfshirë një çift të moshuar holandez kanë humbur jetën. Një pasagjer britanik ndodhet në gjendje kritike në një spital në Afrikën e Jugut, ndërsa dy anëtarë të ekuipazhit po trajtohen ende në bord.
Operacioni i menaxhimit të situatës po koordinohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në bashkëpunim me autoritetet lokale. Anija i është nënshtruar një procesi të thellë dezinfektimi dhe analizash mjedisore, ndërsa fokusi i hetimeve është te burimi i ekspozimit, pasi deri tani nuk ka prova për përhapje të gjerë nga njeriu te njeriu.
Ekspertët theksojnë se hantavirusi ndryshon ndjeshëm nga COVID-19. Ndryshe nga koronavirusi, i cili përhapet lehtësisht përmes ajrit, hantavirusi transmetohet kryesisht nga kontakti me brejtës të infektuar ose mbetjet e tyre në ambiente të mbyllura. Në rastin e anijes, dyshohet se ekspozimi mund të ketë ndodhur ose nga prania e brejtësve në bord, ose gjatë ndalesave në tokë në zona të infektuara.
Megjithëse shkalla e vdekshmërisë së hantavirusit është më e lartë deri në 40% në raste të rënda specialistët theksojnë se ai nuk paraqet rrezik pandemik si COVID-19, për shkak të mungesës së përhapjes së lehtë mes njerëzve. Rasti në “MV Hondius” konsiderohet i izoluar dhe i lidhur me një burim të kufizuar infektimi.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë testimin e pasagjerëve dhe analizimin e mostrave për të identifikuar llojin e saktë të virusit dhe për të kuptuar origjinën e shpërthimit.
Një ekspert nga OBSH-ja ka theksuar se situata nuk duhet të krahasohet me Covid-19, duke thënë: “Ky nuk është SARS-CoV-2. Ky nuk është fillimi i një pandemie Covid.”
Gjatë një konference për shtyp, epidemiologia e sëmundjeve infektive e OBSH-së, Maria Van Kerkhove, u përpoq të bënte dallimin midis shpërthimit dhe ditëve të para të pandemisë Covid-19.
“Dua të jem e qartë këtu. Ky nuk është SARS-CoV-2. Ky nuk është fillimi i një pandemie Covid. Ky është një shpërthim që e shohim në një anije”, tha ajo. Van Kerkhove shpjegoi se hantavirusi nuk përhapet në të njëjtën mënyrë si koronaviruset, por përkundrazi përmes “kontaktit të ngushtë dhe intim”.
Ajo shtoi se masat që po merren në bord të anijes janë “paraprake për të parandaluar çdo përhapje të mëtejshme”.
Autoritetet evropiane kanë thënë gjithashtu se rreziku për publikun mbetet i ulët. “Duhet ta përsëris se sipas provave që kemi aktualisht, rreziku për publikun në Evropë, rreziku për evropianët është i ulët”, tha zëdhënësja e BE-së, Eva Hrncirova.