Screenshot
Blerina Matraku ka reaguar për herë të dytë publikisht, duke e nisur deklaratën me një mesazh të fortë për pasojat që, sipas saj, kjo histori ka sjellë mbi vajzën dhe familjen e përfshirë.
“Të bësh një vajzë, që mos të shohë dot babain e saj në sy, ta bësh atë të iki nga shtëpia, e të humbi të vetmen gjë që ka mbetur në jetë, ‘dinjitetin’, ky është KRIM”, shkruan Matraku.
Në vijim, ajo i drejtohet personit që fajëson për situatën dhe përmend edhe një element që e lidh drejtpërdrejt me Adrian Hilën. Sipas saj, Hila i kishte thënë se ishte i divorcuar.
“Do t’i lashë në këtë botë, lotët e çdo gruaje, apo vajze, o Zot, lotët e çdo fëmije, lotët e nënës time, të Klaudias, (për të cilën thoje jam i divorcuar), lotët e vajzave të tua”, shkruan ajo.
Kjo pjesë e reagimit është veçanërisht e fortë, pasi Matraku pretendon se gjatë raportit mes tyre i ishte paraqitur një version sipas të cilit Hila ishte i divorcuar. Ky mbetet një pretendim i bërë publikisht prej saj dhe jo një fakt i verifikuar në mënyrë të pavarur.
Në të njëjtën deklaratë, ajo kërkon edhe ndërhyrjen e autoriteteve shtetërore, duke kërkuar masa ligjore për këdo që ka shpërndarë ose përdorur materialet private.
“Kërkoj nga autoritetet shtetërore të merren masa ligjore për secilin që ka përdhosur figurën e dikujt, të një femije, të një artisteje të pambrojtur”, shkruan Matraku.
Ajo shton se imazhi i saj është dëmtuar rëndë dhe se familja e saj po përjeton pasoja të forta emocionale.
“Imazhi im është përdhosur dhe unë nuk kam sy e faqe të dal para asnjë individi, para asnjë familjari e para askujt. Ju lutem ndalni këtë gjë të shëmtuar, ku po goditen njerëz të pafajshëm. Familja ime është e gjunjëzuar dhe unë jam një njeri i kryqëzuar.”
Matraku thotë gjithashtu se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore, por kërkon kohë për të marrë veten.
“Më lini vetëm pak sa të marr veten, për të raportuar apo proceduar. Ndjesë, situata është tragjike.”
Në pjesën tjetër të reagimit, këngëtarja flet edhe për jetën e saj profesionale, duke theksuar se ka punuar shumë për çdo projekt dhe se nuk është mbështetur nga privilegje apo fonde publike.
Ky është reagimi i dytë i Blerina Matrakut pas shpërthimit të çështjes së videove intime. Në reagimin e parë ditën e djeshme ajo i kërkoi falje Klaudias dhe vajzave të kompozitorit, ndërsa këtë herë ajo jo vetëm kërkon përgjegjësi ligjore, por sjell edhe pretendimin se Adrian Hila i kishte thënë se ishte i divorcuar.