Në prag të njëvjetorit të ndarjes nga jeta të Shpat Kasapit, bashkëshortja e këngëtarit ka ndarë një dedikim prekës, duke folur për mungesën e tij dhe për dhimbjen që e shoqëron teksa sheh djalin e tyre, Roelin, të rritet pa të atin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo ka njoftuar edhe organizimin e një mbrëmjeje përkujtimore, kushtuar jetës dhe rrugëtimit artistik të Shpatit. Familjarë, miq dhe njerëz që e kanë dashur këngëtarin do të mblidhen për të nderuar kujtimin e tij.
“Ka mungesa që nuk i mbush as koha, as fjalët. E jotja është një prej tyre”, shkruan bashkëshortja e artistit.
Në mesazhin e saj, ajo ndalet te momentet e përditshme me Roelin dhe dëshira që Shpati të ishte pranë për ta parë të birin duke u rritur. Zëri, të qeshurat dhe përvojat e reja të djalit sjellin edhe mallin për gjithçka që çifti do të dëshironte të përjetonte së bashku.
“Do të doja të dëgjoje zërin e tij, të qeshje me të dhe të përjetoje çdo moment që koha nuk na la ta jetonim së bashku. Unë do të jem gjithmonë aty për t’i treguar për ty, për muzikën tënde, për buzëqeshjen tënde dhe për dashurinë që kishe për të”, thuhet në dedikim.
Përmes këtyre fjalëve, ajo shpreh edhe përkushtimin për ta mbajtur gjallë kujtimin e Shpatit në jetën e të birit, duke i treguar për të atin, muzikën dhe dashurinë e tij.
Sipas njoftimit të ndarë nga bashkëshortja, mbrëmja përkujtimore do të zhvillohet më 29 nëntor, në orën 18:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë. Aktiviteti do t’i kushtohet kujtimeve dhe kontributit artistik që këngëtari la pas.
