Emanuela Shahini, 31 vjeçe, humbi jetën pasi makina që drejtonte doli nga rruga dhe u përplas me një shtyllë betoni në Prata di Pordenone, në Itali. Me të udhëtonin dy fëmijët e saj, 6 dhe 4 vjeç, si dhe një shok i tyre 10-vjeçar. Të tre fëmijët mbetën të plagosur.
Aksidenti ndodhi rreth orës 11:00 ditën e djeshme, në rrugën Vittorio Emanuele. Shahini po i çonte fëmijët në Villanova, ku do të merrnin pjesë në një festë ditëlindjeje në oratorin e zonës. Sipas policisë, teksa po përshkonte një kthesë në të përpjetë, 31-vjeçarja humbi kontrollin e makinës tip “Ford Fiesta”. Automjeti doli nga rruga dhe goditi një shtyllë betoni.
Nga përplasja, pjesa e përparme e makinës u dëmtua rëndë dhe Shahini mbeti e bllokuar brenda. Ekipet e shpëtimit e nxorën nga automjeti dhe, pasi mori ndihmën e parë në vendngjarje, ajo u transportua me urgjencë në spitalin e Pordenones. Nëna e re ndërroi jetë pak më vonë si pasojë e plagëve të marra.
Vajza e saj 4-vjeçare u transportua me helikopter në spitalin e Udines në gjendje të rëndë. Fëmija tjetër i familjes, 6 vjeç, dhe shoku 10-vjeçar u dërguan me ambulancë në spitalin e Pordenones për të marrë ndihmë mjekësore.