Kur Ferat Shehaj u vu në ndjekje të makinës me të cilën po largohej personi që i kishte marrë çantën me para, në vend të targës i ra në sy një urim dasme. Dëshmia e tij për shiritin e kuq me mbishkrimin “Çifti me jetë të lumtur” i çoi hetuesit deri te një dyqan lulesh në Fier. Atje, kamerat kishin filmuar njërin prej të dyshuarve duke blerë shiritin, disa orë para vjedhjes.
Detajet dalin nga dosja e siguruar nga gazetarja Anila Hoxha për vjedhjen e 26 marsit në një agjenci udhëtimi dhe këmbimi valutor në Ballsh. Në përfundim të hetimeve, prokurori Kristi Jorgji ka kërkuar dërgimin për gjykim të Gëzim Fejzullës, Anna Meissane Boudiaf dhe Arsen (Odise) Saliajt, të akuzuar për vjedhje në bashkëpunim me pasojë të rëndë.
Çanta që u mor nga tavolina
Rreth orës 16:17, Shehaj, punonjës i agjencisë, kishte dalë për të marrë makinën e tij, të parkuar rreth 100 metra larg. Mbi tavolinë kishte lënë një çantë shpine dhe disa qese me para. Sipas dosjes, në çantë ndodheshin 38 mijë euro, 4 mijë paund dhe rreth 1 milion lekë.
Gjatë mungesës së tij, një person i veshur me të zeza hyri në agjenci, mori çantën dhe doli pa prekur qeset. Pikërisht kjo zgjedhje ngriti dyshimin e hetuesve se personi që hyri në agjenci mund ta dinte paraprakisht se ku mbaheshin paratë.
Sapo kuptoi çfarë kishte ndodhur, Shehaj u vu në ndjekje të Audit të zi dhe njoftoi policinë. Për të verifikuar dëshminë e tij për mbishkrimin mbi targë, hetuesit kërkuan pamje nga kamerat e bizneseve që shisnin shirita të tillë. Në pamjet e një dyqani lulesh në Fier, në orën 11:47 të po asaj dite, ata identifikuan njërin prej të dyshuarve duke blerë shiritin e kuq.
Çfarë dyshon prokuroria për makinën me qira
Pjesë e hetimit u bë edhe një makinë e dytë, një Honda Jazz e zezë, të cilën, sipas prokurorisë, Anna Meissane Boudiaf e kishte marrë me qira në Fier atë paradite. Hetuesit krahasuan pamjet e kamerave me të dhënat GPS të makinës. Sipas tyre, Honda dyshohet se ishte marrë për të krijuar një alibi për personin që hyri në agjenci.
Prokuroria e Fierit pretendon se të tre të akuzuarit kishin role të ndryshme. Njëri dyshohet se organizoi dhe kreu vjedhjen, ndërsa dy të tjerët dyshohet se ndihmuan për krijimin e alibisë, sigurimin e makinës me qira dhe lëvizjet gjatë asaj dite.