Një rast mashtrimi me donacione humanitare është zbuluar së fundmi në Gjilan të Kosovës, ku një i ri dyshohet të ketë përfituar rreth 190 mijë euro, me pretendimin se vuante nga leukemia akute e kishte nevojë për para për trajtim mjekësor.
Rasti është zbuluar nga autoritetet e Kosovës të cilat janë vënë menjëherë në lëvizje për zbardhjen e plotë të mashtrimit. Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se Endrit Azemi, aktualisht në pranga, dyshohet se sajoi historinë e sëmundjes më 9 nëntor 2026, me qëllim përfitimin e paligjshëm financiar.
Ndërkohë bëhet me dije se Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit Endrit Azemit, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të mashtrimit.
Duke u prezantuar si i prekur nga leukemi, Endriti raportohet se hapi një fushatë në platformën online “GoFundMe”, përmes së cilës iu shtriu dorën qytetarëve në Kosovë dhe bashkatdhetarëve në diasporë, me argumentimin se fondet e mbledhura do të përdoreshin për kurimin e tij.
Shuma e grumbulluar përmes kësaj fushate mësohet se arrin në 189 mijë e 206 euro e 8 cent. Mirëpo, pas verifikimit të historikut të tij shëndetësor, u konstatua sei dyshuari nuk vuante nga sëmundja për të cilën kishte kërkuar ndihmë financiare.
Ndaj, sipas prokurorëve të Gjilanit, Azemi dyshohet se kishte sajuar historinë e sëmundjes që prej 9 nëntorit 2026, duke krijuar një fushatë humanitare për mbledhjen e fondeve përmes platformës “GoFundMe”.
Mashtrimi i Azemit nuk u kufixua vetëm në internet. Familjarët e tij raportohet se kishin kërkuar ndihmë edhe drejtpërdrejt nga qytetarët në Gjilan, duke vendosur një pikë grumbullimi të donacioneve në sheshin e qytetit.
Madje, motra e Endrit Azemit shpesh herë ka dalë duke bërë thirrje publike përmes rrjeteve sociale, duke iu kërkuar qytetarëve që të kontribuonin financiarisht për shërimin e tij. Me apel emocional, motra e Endritit kërkoi ndihmë për të shpëtuar jetën e vëllait, ndërkohë që i riu nuk rezultonte të ishte i prekur nga ndonjë sëmundje.
Pas disa denoncimeve për rastin në fjalë, Prokuroria, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka urdhëruar bllokimin e parave të grumbulluara në llogaritë bankare të identifikuara.
Ndërsa Endrit Azemi u vu në pranga 21 nëntor, rreth orës 22:00, pasi ishte shpallur në kërkim policor. Me vendim të prokurorit të shtetit, ai u dërgua në ndalim për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të mashtrimit.
Rasti ka shkaktuar reagime të shumta, pasi fushata kishte mobilizuar qytetarë të shumtë, të cilët kishin kontribuar financiarisht me bindjen se po ndihmonin një person të prekur nga një sëmundje e rëndë.
Ndërkaq, media Nacionale ka publikuar pamje, për të cilat shkruan se janë regjistruar pranë shtëpisë së të dyshuarit, mbrëmjen e së dielës ku disa persona kanë shkuar pranë shtëpisë së të dyshuarit. Referuar pamjeve, personat shikohen të revoltuar ndaj një personi, që mendohet të jetë familjar i Endritit.
