Labinot Rexha ka vendosur të reagojë sërish lidhur me polemikat e krijuara pas komenteve të tij për marrëdhënien e Sarës Gjordeni dhe Bardhit, këtë herë duke u kërkuar falje publikisht dy bashkëshortëve.
Përmes një postimi në Facebook, këngëtari shprehet se nuk ka pasur asnjë qëllim negativ pas fjalëve të tij dhe se, nëse ato kanë shkaktuar pakënaqësi apo kanë lënduar çiftin, është i gatshëm të kërkojë ndjesë.
“U kërkoj sinqerisht falje”, shkruan Labi, duke etiketuar edhe Bardhin në reagimin e tij.
E gjithë situata nisi gjatë një interviste në Top Albania Radio, ku Rexha u pyet për çiftet që janë krijuar në formatin “Big Brother”. Teksa komentoi raportin mes Sarës dhe Bardhit, ai bëri një krahasim që shkaktoi reagimin e këngëtarit.
Pas publikimit të deklaratës në rrjetet sociale, Bardhi iu kundërpërgjigj me tone të ashpra, duke përfshirë në reagimin e tij edhe familjen e Labit.
Fillimisht, ky i fundit iu drejtua Bardhit duke i propozuar një takim për të falur namazin së bashku. Ndërsa në postimin e fundit, ai sqaroi se shprehja e përdorur kishte për qëllim të tregonte se Bardhi është një person i qetë dhe i respektueshëm ndaj bashkëshortes së tij, njësoj siç pretendon se është edhe vetë në raportin me partneren.
“Nuk e kam problem të kërkoj falje kur dikush ndihet i lënduar, sepse për mua respekti është mbi gjithçka”, përfundoi ai.