Elton Tozaj ka bërë një tjetër denoncim të fortë përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, duke ngritur akuza të rënda për një rast të dyshuar abuzimi seksual në ambientin e punës. Bëhet fjalë për një kryetar bashkie, ndërsa emri dhe vendi nuk është bërë i ditur.
Sipas pretendimeve të Tozajt, një punonjës dyshohet se ka abuzuar seksualisht me persona të tjerë në vendin e punës, mes tyre si burra, ashtu edhe gra.
Tozaj pretendon se disponon prova që, sipas tij, dokumentojnë rastet për të cilat flet. Në videon e publikuar, ai paralajmëron se gjatë mbrëmjes së sotme do të nxjerrë edhe disa prej materialeve që thotë se ka në zotërim.
“Kam provat”, është në thelb mesazhi i tij, ndërsa bën të ditur se denoncimi nuk do të ndalet vetëm te deklaratat publike.
Ky është denoncimi i radhës nga Elton Tozaj, i cili ditët e fundit është vendosur në qendër të vëmendjes për një seri pretendimesh dhe materialesh që thotë se i janë vënë në dispozicion.
Megjithatë, akuzat e fundit mbeten për momentin pretendime të bëra publikisht nga Tozaj. Deri në këtë fazë nuk është bërë publik një konfirmim nga autoritetet apo një verifikim i pavarur i materialeve që ai thotë se disponon.