Së fundmi në rrjetet sociale po qarkullon një lajm që ka ngritur pikëpyetje lidhur me Shtëpinë e Fëmijës në Vlorë dhe, mbi të gjitha, me atë se çfarë ka ndodhur me fëmijët që kanë qenë pjesë e këtij institucioni.
Në një video të publikuar në TikTok ngrihet publikisht pyetja: “A është e vërtetë që jetimorja e Vlorës është mbyllur? Dhe ku janë fëmijët?”. Postimi ka marrë reagime të shumta, ndërsa disa qytetarë pretendojnë se institucioni është mbyllur.

Një prej komentueseve shkruan se është interesuar për të dhuruar rroba, por pretendon se i është thënë se nuk ka më fëmijë në institucion.
“Unë u kam shkruar disa herë se dua t’u çoj rroba dhe më kanë thënë gocat që hapën telefonin se s’ka më fëmijë. Janë çuar disa në Sarandë, janë adoptuar ose në vende të tjera, po s’di pse nuk më binden”, shkruan ajo.

Një tjetër qytetar shprehet: “E kanë mbyllur befotrofin në Vlorë. Se ku kanë ikur, se di”.

Në një tjetër koment që po qarkullon në rrjet thuhet se mbyllja lidhet me një projekt deinstitucionalizimi, që synon rikthimin e fëmijëve në familjet biologjike, birësimin e tyre apo kalimin drejt formave alternative të kujdesit.

Megjithatë, këto janë deklarata dhe pretendime të qytetarëve në rrjetet sociale dhe deri në këtë moment nuk përbëjnë një konfirmim zyrtar mbi statusin e institucionit apo situatën e fëmijëve.
Pikërisht për të sqaruar se çfarë ka ndodhur, nëse Shtëpia e Fëmijës në Vlorë është mbyllur dhe si janë sistemuar fëmijët që kanë qenë nën kujdesin e saj, redaksia e “Pa Dorashka” ka kontaktuar institucionin përkatës dhe është në pritje të një përgjigjeje zyrtare.