Pas lajmit që po qarkullon në rrjetet sociale se Shtëpia e Fëmijës në Vlorë është mbyllur, si dhe pikëpyetjeve të qytetarëve se ku ndodhen fëmijët që më parë qëndronin aty, redaksia e “Pa Dorashka” kontaktoi institucionin përkatës për të marrë një përgjigje.
Në përgjigjen e dhënë për redaksinë tonë, sqarohet se ish-“Shtëpia e Fëmijës” nuk është mbyllur, por është transformuar në Qendrën e Shërbimeve Mbështetëse për Fëmijën dhe Familjen (QSHMFF), pranë Bashkisë Vlorë, në kuadër të procesit kombëtar të deinstitucionalizimit të kujdesit rezidencial për fëmijët.
“Lajmi që po qarkullon nuk është i saktë. Ish-‘Shtëpia e Fëmijës’ në Vlorë nuk është mbyllur, por është transformuar në Qendrën e Shërbimeve Mbështetëse për Fëmijën dhe Familjen (QSHMFF), pranë Bashkisë Vlorë”, thuhet në përgjigjen e institucionit.
Sipas sqarimit, QSHMFF vijon të funksionojë normalisht dhe tashmë ofron një sërë shërbimesh, mes tyre mbështetje në familje, kujdes të përkohshëm, shërbime komunitare për fëmijët dhe familjet, klasa prindërimi, këshillim dhe mbështetje psiko-sociale, si dhe mbështetje për familjet kujdestare dhe kujdestarinë alternative.
Megjithatë, pikëpyetja kryesore e ngritur nga qytetarët lidhet me fëmijët që kanë qenë më parë nën përkujdesjen e Shtëpisë së Fëmijës.
E pyetur konkretisht se ku ndodhen ata dhe nëse janë rikthyer në familjet biologjike, janë birësuar, vendosur në familje kujdestare apo transferuar në institucione të tjera, përgjigjja ishte se çdo rast është trajtuar individualisht, në përputhje me interesin më të lartë të fëmijës.
“Për shkak të konfidencialitetit dhe mbrojtjes së të dhënave personale, nuk mund të bëhen publike informacione mbi raste individuale”, thuhet në përgjigje.
Redaksia e “Pa Dorashka” sqaroi se nuk kërkonte të dhëna personale apo identitetin e asnjë fëmije, por informacion të përgjithshëm se çfarë kishte ndodhur me fëmijët pas transformimit të institucionit.
Për këtë pjesë, institucioni nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por bëri të ditur se për çdo informacion tjetër institucional apo dokumentacion zyrtar duhet t’i drejtohemi Bashkisë Vlorë me një kërkesë zyrtare për informacion, e cila më pas do të trajtohet sipas procedurave dhe legjislacionit në fuqi.
Pra, ndërsa është sqaruar se ish-Shtëpia e Fëmijës nuk është mbyllur, por është transformuar dhe vijon aktivitetin me një funksion të ri, për të marrë informacion të përgjithshëm dhe zyrtar mbi atë që ka ndodhur me fëmijët që jetonin më parë aty, “Pa Dorashka” duhet t’i drejtohet Bashkisë Vlorë përmes një kërkese zyrtare.
Përgjigja e plotë:
“Përshëndetje znj. Durishti, faleminderit për interesimin.
Lajmi që po qarkullon nuk është i saktë. Ish-“Shtëpia e Fëmijës” në Vlorë nuk është mbyllur, por është transformuar në Qendrën e Shërbimeve Mbështetëse për Fëmijën dhe Familjen (QSHMFF), pranë Bashkisë Vlorë, në kuadër të procesit kombëtar të deinstitucionalizimit të kujdesit rezidencial për fëmijët.
Transformimi është realizuar në zbatim të legjislacionit në fuqi, ndër të tjera:
- Ligjit nr. 121/2016 “Për Shërbimet e Kujdesit Shoqëror në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
- Ligjit nr. 18/2017 “Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës”;
- VKM nr. 866, datë 24.12.2019 “Për miratimin e standardeve të shërbimeve të përkujdesit shoqëror”;
- VKM nr. 706, datë 09.09.2021 “Për miratimin e metodologjisë së deinstitucionalizimit të institucioneve rezidenciale të përkujdesit shoqëror për fëmijët”;
- Vendimit të Komitetit Drejtues për miratimin e metodologjisë së transformimit të shërbimeve sociale për përkujdesin ndaj fëmijëve në Bashkinë Vlorë;
- si dhe akteve të tjera nënligjore në fuqi.
QSHMFF vijon të funksionojë normalisht dhe ofron shërbimet e mëposhtme: - Shërbim mbështetës në familje.
- Shërbim afatshkurtër (kujdes i përkohshëm/respite care).
- Shërbime komunitare për fëmijët dhe familjet.
- Klasa prindërimi.
- Vlerësim, këshillim dhe mbështetje psiko-sociale.
- Mbështetje psikologjike dhe punë sociale.
- Mbështetje për familjet kujdestare dhe kujdestarinë alternative.
- Aktivitete edukative, zhvillimore dhe socializuese për fëmijët.
- Koordinim me institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve dhe referimin e rasteve.
Për sa i përket çdo informacioni tjetër institucional apo dokumentacioni zyrtar, ju lutemi t’i drejtoheni Bashkisë Vlorë me një kërkesë zyrtare për informacion, e cila do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe procedurat administrative.”
” Për sa i përket fëmijëve që kanë qenë në përkujdesje, çdo rast është trajtuar në përputhje me interesin më të lartë të fëmijës, bazuar në vlerësimet profesionale dhe vendimmarrjen e institucioneve kompetente. Për shkak të konfidencialitetit dhe mbrojtjes së të dhënave personale, nuk mund të bëhen publike informacione mbi raste individuale.Për informacion më shumë po ua përsëris shkresë zyrtare.Ditë të mbarë!”