Si pasojë e një aksidenti të rëndë tre të rinj shqiptarë humbën jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur. Ngjarja ka ndodhur në bulevardin Poseidonos, pranë zonës së Glyfadës, në drejtim të Athinës. Në mjet ndodheshin pesë persona, të gjithë me origjinë shqiptare.
Sipas mediave, makina ka dalë nga rruga për arsye ende të paqarta dhe është përplasur me forcë të madhe me murin rrethues të një hoteli. Goditja ka qenë aq e fortë sa automjeti është shkatërruar pothuajse tërësisht, ndërsa pjesë të tij janë shpërndarë në një perimetër të gjerë. Motori i makinës është shkëputur dhe ka përfunduar disa metra larg vendit të përplasjes, duke marrë flakë.
Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i mjetit, 23 vjeç, dhe dy pasagjerë, 18 dhe 26 vjeç, kanë ndërruar jetë në vend.
Dy pasagjerët e tjerë, të dy 18-vjeçarë, janë nxjerrë nga rrënojat e makinës nga forcat zjarrfikëse dhe janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Përgjithshëm Shtetëror të Nikaias. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike për jetën. Autoritetet greke po punojnë për të zbardhur më tej shkaqet e aksidentit dhe rrethanat e kësaj tragjedie.