Vrasja e ndodhur ditën e djeshme në Shkodër ka tronditur opinionin publik, pasi një 57-vjeçar, i identifikuar si Shqefen Ziçi, ka ekzekutuar me armë gjahu bashkëshorten e tij brenda banesës.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, gruaja është qëlluar tre herë me çifte, ndërsa motivi i krimit mbetet ende nën verifikim. Një nga pistat që po shqyrtojnë hetuesit lidhet me një telefonatë të marrë nga viktima pak para ngjarjes, e cila dyshohet se ka nxitur një konflikt mes bashkëshortëve me sfond xhelozinë.
Çifti ishte prind i dy fëmijëve, por jetonte vetëm. Nga verifikimet e deritanishme nuk rezultojnë kallëzime të mëparshme për dhunë në familje, kërkesa për urdhër mbrojtjeje apo sinjalizime nga persona të afërt që mund të tregonin probleme të vazhdueshme në marrëdhënien e tyre.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se autori i dyshuar nuk ka dhënë ende shpjegime mbi rrethanat e krimit dhe nuk ka bashkëpunuar me grupin hetimor. Ndërkohë, ekspertët po analizojnë telefonin e viktimës për të hedhur më shumë dritë mbi motivin e ngjarjes.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe shkaqet që çuan në këtë krim të rëndë, ndërsa rasti rikthen edhe një herë në vëmendje fenomenin e dhunës dhe vrasjeve brenda familjes, që mbetet një nga sfidat më serioze sociale në vend.