Detaje të reja janë zbardhur nga krimi i rëndë brenda familjes në Shkodër, ku 62-vjeçari Shtjefën Ziçi vrau me çifte bashkëshorten e tij, Bardhe Ziçi. Sipas burimeve hetimore, pista kryesore e ngritur nga Policia e Shkodrës lidhet me xhelozinë mes çiftit, ku “mollë sherri” dyshohet se është bërë telefoni celular i viktimës. Nga kamerat e sigurisë të sekuestruara nga grupi hetimor, dyshohet se Shtjefën Ziçi i ka kërkuar celularin bashkëshortes së tij dhe pas debatit mes tyre është futur në banesë, ka marrë çiften që e mbante me leje dhe ka qëlluar ndaj saj duke e lënë të vdekur në vend.
null
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ndodhi rreth orës 13:30 të datës 9 korrik në unazën lindore të Shkodrës. Pas debatit në një dyqan pranë banesës së tyre, 62-vjeçari është kthyer në shtëpi, ka marrë armën e gjahut dhe ka qëlluar dy herë ndaj bashkëshortes, e cila tentoi të largohej për të shpëtuar, por u godit për vdekje në pragun e banesës. Ndërkohë, pala mbrojtëse pritet të mbajë qëndrimin se ngjarja ka qenë aksidentale, duke pretenduar se Shtjefën Ziçi kishte marrë çiften për ta pastruar dhe nuk ishte në dijeni se arma kishte fishekë brenda. Sipas këtij versioni, ditë më parë arma ishte mbushur me plumba nga vetë bashkëshortja e tij, pa e vënë në dijeni 62-vjeçarin.
Megjithatë, policia vijon hetimet duke u bazuar te pamjet filmike, dëshmitë dhe provat e mbledhura në vendngjarje, ndërsa dyshimet kryesore vijojnë të lidhen me konfliktin dhe xhelozinë mes çiftit. Në momentet e para të arrestimit, Shtjefën Ziçi dyshohet se u ka thënë efektivëve se nuk ishte penduar për ngjarjen, deklaratë e cila ende nuk është marrë si dëshmi zyrtare. Ai u dorëzua në vendngjarje pa bërë rezistencë dhe arma e krimit, një çifte me leje, u sekuestrua nga Policia.
Shtjefën dhe Bardhe Ziçi ishin prindër të dy fëmijëve, një djali që jeton në Kanada dhe një vajze që punon si oficere në repartin ushtarak në Vau Dejës. 62-vjeçari punonte si taksist me automjetin e tij privat, ndërsa ndihmonte edhe në furnizimin e dyqanit ushqimor që drejtonte bashkëshortja e tij. Të dy njiheshin në zonë si persona të qetë dhe banorët deklarojnë se nuk kishin dijeni për konflikte të mëparshme mes tyre, deri në momentin kur kjo ngjarje e rëndë tronditi Shkodrën.