Policia e Fierit ka arrestuar një 30-vjeçar, pasi u kap duke transportuar me automjetin e tij tip “Porsche Cayenne” 13 sende floriri, mes tyre 4 lingota dhe 9 monedha, të dyshuara të kontrabanduara.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në bashkëpunim me shërbimet e Forcave Operacionale dhe “Shqiponja”, ndaluan për verifikim automjetin e shtetasit A. B., 30 vjeç, banues në Roskovec.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e policisë gjetën 9 monedha floriri, 4 lingota floriri, 4 mijë euro dhe 93 mijë lekë. Po ashtu 30-vjeçari nuk dispononte dokumentacion për të provuar origjinën apo burimin e sendeve me vlerë, si dhe as parave.
Policia bën me dije se 30-vjeçari u arrestua dhe akuzohet për veprat penale“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.