Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës, duke konfirmuar dënimin me 16 vite burg për Mario Përlleshajn, adoleshentin e shpallur fajtor për vrasjen me thikë të bashkëmoshatarit të tij, Martin Cani.
Në seancën e zhvilluar këtë të mërkurë, trupi gjykues rrëzoi ankimin e mbrojtjes, e cila kërkonte ndryshimin e vendimit të shkallës së parë. Avokati i Përlleshajt argumentoi se klienti i tij nuk duhej të dënohej për veprën penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, duke pretenduar se ngjarja kishte ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes dhe nën ndikimin e një tronditjeje të fortë psikike.
Megjithatë, Apeli nuk i pranoi këto pretendime dhe la të pandryshuar vendimin e dhënë më herët.
Mario Përlleshaj është shpallur fajtor për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj Martin Canit, si edhe “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë” ndaj Luis Meçes, i cili mbeti i plagosur gjatë konfliktit.
Në dhjetor të vitit të kaluar, ai u dënua me 12 vite burg për vrasjen e Martin Canit dhe me 10 vite për tentativën e vrasjes së Luis Meçes. Pas bashkimit të dënimeve, gjykata caktoi një dënim përfundimtar prej 16 vitesh burg, vendim që tashmë është konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit.
Aktualisht, Përlleshaj po vuan dënimin në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale për të mitur në Kavajë, ku u transferua pas ngjarjes së rëndë të 18 nëntorit 2024.
Ngjarja ndodhi rreth 200–300 metra larg shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku katër adoleshentë, dy nxënës të kësaj shkolle dhe dy të një shkolle në Sauk, u përfshinë në një konflikt që degradoi në përdorimin e thikës. Brenda vetëm 90 sekondash, Martin Cani humbi jetën, Luis Meçja mbeti i plagosur, ndërsa u lëndua edhe vetë autori i ngjarjes.