Screenshot
E ftuar në emisionin “S’e Luan Topi”, gazetarja sportive Trevisa Tufa ka folur hapur për karrierën, pasionin për profesionin dhe marrëdhëniet që ka krijuar ndër vite me sportistët që interviston.
Tufa tregoi se, pavarësisht viteve në këtë profesion, vazhdon të ketë të njëjtën dëshirë për të shkuar në punë dhe veçanërisht për të realizuar intervista me sportistët.
“Që nga dita e parë dhe deri sot, puna kurrë nuk më ka hequr dëshirën apo të them që u lodha. Vdes të shkoj në punë, të jap lajmet e sportit. Të marr intervista”, u shpreh ajo.
Gazetarja tregoi se përpiqet të krijojë një raport të afërt dhe korrekt me futbollistët, pa kaluar kufijtë profesionalë, pasi ruajtja e kontakteve është një pjesë e rëndësishme e punës së saj.
Por gjatë bisedës, Trevisa zbuloi edhe një anë tjetër të marrëdhënies me disa prej sportistëve. Ajo pranoi se ka pasur raste kur futbollistë që ka intervistuar e kanë ngacmuar më pas përmes rrjeteve sociale.
“Përballë nuk më ka ndodhur. Mund ta kem marrë një person në intervistë dhe mund të më ketë shkruar më pas në rrjetet sociale, por jo përballë”, tregoi ajo.
Madje, Tufa rrëfeu se në raste të caktuara, fakti që nuk i është përgjigjur ngacmimit ka ndikuar edhe në raportin profesional.
“Ka pasur raste kur nuk ia kam kthyer ‘ngacmimin’ dhe nuk më ka dhënë më intervistë. Më kanë thënë ‘ok, do marr leje në klub’, i kam shkruar të nesërmen, ngacmimi vazhdoi, dhe kur i shkruajta sërish nuk më ka kthyer përgjigje. Por kjo nuk më ka bezdisur”, përfundoi ajo.