Artan Myrta është vrarë me armë zjarri mëngjesin e sotëm në Sarandë, ndërsa një 73-vjeçar, kalimtar i rastit, ka mbetur i plagosur.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 09:55, pranë ish-agjencisë, në qendër të qytetit.
Policia me anë të një njoftimi deklaron se rrethanat e ekzekutimit janë ende të paqarta, ndërsa autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes. I plagosuri është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve dhe kanë ngritur pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 09:55, te ish-agjencia, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi A. M., rreth 44 vjeç, si dhe ka mbetur i plagosur shtetasi Xh. S., rreth 73 vjeç, kalimtar i rastit, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Janë ngritur pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe të Gjirokastrës.
Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për sqarimin e rrethanave, administrimin e çdo prove që i shërben hetimit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Kush është “Tani Ruzhdiut” që u ekzekutua në qendër të Sarandës!
Ai njihej ndyshe edhe me nofkën “Tani Ruzhdiut”, dhe rezulton si i përfshirë në një ngjarje kriminale të ndodhur në 17 korrik 2025 në lagjen nr.4 të Sarandës, ku u plagosën me armë zjarri Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj nga Kamza.
Autori i plagosjeve ka qënë Ramadan Zoto, ndërsa Klaus Jaçaj së bashku me Erjon Jaçaj dhe Artan Myrtaj bashkëpunuan me të dhe e ndihmuan pas ngjarjes që të arratisej. Fill pas kësaj ngjarje, në Sarandë ka pasur një sërë episodesh hakmarrjeje, ku Isuf Jaçaj, i ati i Klaus Jaçajt u vra me tritol si dhe ka patur një rast të shkatërrimit të pronës së Ramadan Zoto.
Sipas informacioneve paraprake, Ramadan Zoto aktualisht po vuan dënimin me burg për plagosjen e Ernest Lama dhe Gëzim Hajdarajt, ndërsa viktima e ditën së sotme Artan Myrtaj së bashku me Klaus Jaçaj ishin të akuzuar për “përkrahje të autorit” dhe ishin lënë të lirë para pak kohësh.
Mësohet se Myrtaj ishte përdorues i lëndëve narkotike, dhe kishte precedent të mëparshëm penal për ‘vjedhje’, sakaq, në kërkim mbetet Erjon Canaj.