Screenshot
Këngëtarja e njohur Eli Fara ka reaguar publikisht për herë të parë pas skandalit që shpërtheu me publikimin dhe shpërndarjen në internet të pamjeve private të lidhura me kompozitorin Adrian Hila.
Rasti ka qenë në qendër të vëmendjes ditët e fundit, ndërsa Policia e Tiranës ka nisur verifikimet për të zbuluar se si materialet private kanë përfunduar në rrjet dhe kush është përgjegjës për publikimin e tyre. Adrian Hila është marrë në pyetje, ndërsa hetimet po përqendrohen edhe te mënyra se si janë siguruar dhe shpërndarë pamjet.
Edhe Eli Fara ka dhënë dëshminë e saj në polici. Sipas raportimeve mediatike, këngëtarja ka deklaruar se nuk kishte dijeni se po filmohej dhe se nuk e konsideron Adrian Hilën personin që ka publikuar apo shpërndarë videot. Ajo ka kërkuar që të identifikohet personi përgjegjës për nxjerrjen e materialeve në publik.
Tashmë këngëtarja ka zgjedhur të flasë edhe publikisht përmes një reagimi të gjatë, ku e vendos theksin te cenimi i privatësisë, presioni publik dhe gjykimet që kanë prekur edhe familjen e saj.
“Kam kaluar një jetë në skenë, duke ndarë me publikun këngën dhe dashurinë për artin. Sot po përjetoj një dhimbje që nuk ia uroj asnjë gruaje: cenimin e privatësisë dhe përballjen me gjykime e fyerje që prekin edhe familjen time”, shkruan Fara.
Artistja shprehet se është e lënduar, por se nuk ka arsye të turpërohet, duke e drejtuar përgjegjësinë te ata që, sipas saj, filmojnë, publikojnë dhe shpërndajnë momente private pa dijeninë apo pëlqimin e personit.
“Të qenit artiste nuk ma heq të drejtën për privatësi dhe dinjitet. Këtë të drejtë e ka çdo grua, pavarësisht emrit, profesionit apo zgjedhjeve të saj”, shkruan ajo.
Në fund të deklaratës, Eli Fara njofton se çështjen do t’ia lërë drejtësisë dhe i bën thirrje publikut të ndalojë shpërndarjen e materialeve, ndërsa falënderon familjen, miqtë dhe kolegët që e kanë mbështetur. “Do të vazhdoj përpara, me dinjitet dhe me kokën lart”, përfundon këngëtarja.