Edicioni i Trembëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR, i cili do të zhvillohet në Tiranë në datat 1 deri më 5 Qershor 2026, vijon traditën e tij si një platformë ndërkombëtare e dedikuar kinemasë autoriale, dialogut kulturor dhe promovimit të autorëve të rinj në hapësirën europiane dhe më gjerë.
Në garë për Çmimet DEA, komisionet e përzgjedhjes paraprake kanë përfshirë në programin e sivjetëm 40 filma nga 25 vende të botës, të ndarë në tre seksione konkurruese: Filmi me Metrazh të Gjatë, Filmi i Shkurtër dhe Filmi Studentor. Programi i këtij viti sjell një panoramë të gjerë të kinemasë bashkëkohore ndërkombëtare, ku ndërthuren drama sociale, temat identitare, raporti i individit me kujtesën, transformimet e shoqërive moderne, migrimi, vetmia urbane dhe kërkimi për liri personale në realitete të ndryshme kulturore.
Në Seksionin e Filmit me Metrazh të Gjatë konkurojnë filmat: “Debati” me regji të Nikolai Geffele (Holandë, 2025), “Gülizar” me regji të Belkıs Bayrak (Turqi, 2025), “Të përzgjedhurit” me regji të Wojciech Nowak (Poloni, 2024), “Verë pa orë” me regji të Yan Kunao (Kinë/Hong Kong/SHBA, 2025), “Mozaik” me regji të Erke Dzhumakmatova dhe Emil Atageldiev (Kirgistan, 2025), “Hera e Tretë” me regji të Gianni Aureli (Itali, 2025) dhe “Unik” me regji të Alberto Gastesi (Spanjë/Finlandë, 2025).
Programi i Filmit me Metrazh të Gjatë sjell autorë dhe shkolla të ndryshme filmike, të cilët eksplorojnë përmes gjuhëve të ndryshme artistike tensionet e botës bashkëkohore, krizën e komunikimit njerëzor, ndikimin e sistemeve sociale mbi individin, raportin me kujtesën dhe transformimet kulturore të shoqërive moderne. Filmat e përzgjedhur karakterizohen nga qasje autoriale
të spikatura, kërkim estetik dhe një ndjeshmëri e fortë humane, duke lëvizur nga drama intime te reflektimi social dhe filozofik.
Konkurimi në programin e Filmit me Metrazh të Gjatë ndiqet nga Juria e Filmit me Metrazh të Gjatë, e përbërë nga figura të njohura të industrisë europiane të filmit, programimit festivalor, produksionit dhe studimeve filmike. Në krye të jurisë është Bernd Buder (Gjermani), Drejtor Programi i FilmFestival Cottbus dhe bashkëdrejtor programi në Jewish Film Festival Berlin Brandenburg. Pjesë e jurisë janë gjithashtu producentja austriake Elly Senger-Weiss; ekspertja e politikave kulturore dhe producentja bullgare Bilyana Raeva; aktorja dhe regjisorja shqiptare Rovena Lule si edhe dramaturgu, skenaristi dhe studiuesi nga Kosova, Arian Krasniqi. Juria e Filmit me Metrazh të Gjatë do të akordojë çmimet DEA për Filmin më të Mirë, Regjinë më të Mirë, Skenarin më të Mirë, Fotografinë/Kamerën më të Mirë dhe Aktorin/Aktoren më të Mirë në rol kryesor.
Në Seksionin e Filmit të Shkurtër konkurojnë filmat: “Një njeri i mirë” me regji të Juli Suàrez (Spanjë, 2025), “Arenillas” me regji të Marta Martín Bueno (Spanjë, 2024), “Pas çdo zjarri” me regji të Tomás Faranna (Argjentinë, 2026), “Këpucët e thyera” me regji të Nuria Cánovas Navedo (Spanjë, 2025), “Pavarësisht rrënojave” me regji të Raquel Quintana Martín (Spanjë, 2025), “Felix & Fernand” me regji të Oscar Buenafuente dhe Thierry Buenafuente (Francë, 2025), “Për qëllime edukative” me regji të Hassan Benali dhe Charlotte Cayeux (Francë, 2025), “Një çast lehtësimi” me regji të Reuven Yamrom (Izrael, 2025), “Melodia e fëmijërisë sime” me regji të Brancu Alin (Rumani, 2025), “Diçka nuk shkon” me regji të Paola Termine (Francë, 2025), “Shtëpia e zezë” me regji të Dumitru Grosei (Rumani, 2025), “Kur tigri ulërin” me regji të LAM Can-zhao (Kinë, 2025), “Zuta Deva” me regji të Alma Qoqaj (Bosnjë dhe Hercegovinë, 2022), “Mali i Zi” me regji të Nikos Kakonas (Greqi, 2025) dhe “Droni” me regji të Dogu Turan (Turqi, 2025).
Programi i Filmit të Shkurtër përqendrohet te format e reja të rrëfimit dhe fuqia sintetike e kinemasë së shkurtër për të trajtuar çështje të identitetit, izolimit, traumës sociale, kujtesës dhe marrëdhënieve njerëzore. Filmat e përzgjedhur vijnë nga Evropa, Azia dhe Amerika Latine dhe pasqyrojnë një larmi qasjesh stilistike, nga realizmi intim dhe drama sociale deri te eksperimentimi vizual dhe narrativ.


Në Seksionin e Filmit Studentor ofrohen filmat: “Al-Adham” me regji të Eman Hatem Ebeid (Egjipt, 2024), “Sepse jam vajzë” nga S. Ispolganova, A. Tyan, R. Keneshova, F. Chorobekova, A. Alybekova, D. Murzulukova dhe A. Baimuratova (Kirgistan, 2025), “Më mirë kështu” me regji të Jaakko Antero
Ylitalo (Finlandë, 2024), “Gjoksi dhe bombat” me regji të Ogerta Spahiut (Shqipëri, 2025), “Perandoria Dara e gdhendur në gur” me regji të Emrullah Taş (Turqi, 2026), “Ashtu siç ishte” nga J. Leite, L. Fanzeres, M. Lesniczki dhe R. Sabioni (Brazil, 2025), “Bojë mbi letër” me regji të Kenana Hussein Hasan (Liban, 2025), “Në bregun e thatë të lumit” me regji të Almourad Aldeeb (Gjermani, 2024), “Pasta Alfredo” me regji të Leila Noee (Iran, 2025), “Phoenix” nga S. Khaled, Ch. Williams, Ph. Inaya, A. Brenner dhe K. Harris (SHBA, 2025), “Lutja” me regji të Sofia Geweiler (Portugali, 2025), “Çerek” me regji të Maja Górczak (Poloni, 2025), “Varreza e verës” me regji të Valèria Cuní Capellà (Spanjë, 2025), “Termokiss nuk njeh kufij” me regji të Korab Jasharit dhe Tea Krasniqit (Kosovë, 2025), “Kryeplaku” me regji të Ksenia Chetvergova (Federata Ruse, 2025), “Përralla e bozhures” nga Yuqing Liu dhe Jintao Sun (Hong Kong, 2026), “Urtajo” me regji të M.A. Marqués (Spanjë, 2025) dhe “Kur bie shi brenda” me regji të Silvia Zennaro (Itali, 2025).
Programi i Filmit Studentor sjell në fokus energjinë krijuese të autorëve të rinj dhe kërkimin e tyre artistik mbi temat e brezit bashkëkohor. Filmat e përzgjedhur trajtojnë çështje që lidhen me identitetin personal, marrëdhëniet familjare, migrimin, kujtesën, pasigurinë ekzistenciale dhe raportin e individit me shoqërinë moderne, duke dëshmuar një interes në rritje të kineastëve të rinj për forma hibride të rrëfimit dhe për ndërthurjen e estetikës me reflektimin social.
Programet e Filmit të Shkurtër dhe Studentor ndiqen nga Juria e Filmit të Shkurtër dhe Studentor, e kryesuar nga More Raça (Kosovë), skenariste, regjisore dhe studiuese filmi, Merita Çoçoli-Sali, aktore dhe dokumentariste nga Maqedonia e Veriut si edhe regjisori dhe skenaristi shqiptar Renis Hyka. Juria e Filmit të Shkurtër dhe Studentor do të akordojë çmimet DEA për Filmin e Shkurtër më të Mirë dhe DEA për Filmin më të Mirë Studentor.
Nga këndvështrimi i kontributit të tyre social, kulturor dhe komunikues, filmat në konkurrim do të vlerësohen edhe nga Juria e Medias, e cila këtë vit përbëhet nga gazetare dhe autorë të njohur të medias kulturore shqiptare, si: Fjodora Fjora (kryetare), Luela Myftari dhe Florian Markeci (anëtarë.

Juria e Medias do të akordojë Çmimin Special të Medias në kategorinë e Filmit me Metrazh të Gjatë dhe Çmimin Special të Medias në kategorinë e Filmit të Shkurtër, duke vlerësuar veprat që spikasin për ndikimin e tyre sensibilizues dhe dimensionin njerëzor.
Zyra e Shtypit
DEA OPEN AIR INTERNATIONAL FILM FESTIVAL – TIRANË 2026
1