Screenshot
Butrint Imeri ka zgjedhur të flasë më hapur se zakonisht në një intervistë për emisionin “Andale”, ku, përveç suksesit të albumit të tij të ri “I Pari”, ndau edhe mendime personale për dashurinë, marrëdhëniet dhe jetën larg skenës.
Artisti foli fillimisht për surprizën që organizoi me rastin e ditëlindjes së tij, ku dhuroi një çmim prej 100 mijë eurosh për fituesit e një sfide në TikTok. Çmimi shkoi për çiftin Bleoni dhe Laurita, të cilët triumfuan me videon që grumbulloi më shumë pëlqime duke përdorur një nga këngët e albumit të tij.
Sipas Butrintit, ideja për këtë shpërblim lindi në bashkëpunim me ekipin e tij dhe ishte një mënyrë për t’i falënderuar fansat për mbështetjen e vazhdueshme ndër vite.
Më pas, biseda u zhvendos te jeta e tij private. I pyetur se çfarë do të thotë dashuria për të, këngëtari u shpreh se një lidhje e shëndetshme duhet të ndërtohet mbi respektin, mirëkuptimin dhe vlerësimin reciprok.
Ai pranoi se fama nuk e ka bërë më të lehtë jetën sentimentale. Sipas tij, koncertet, angazhimet e shumta dhe ekspozimi publik shpesh ndikojnë negativisht në krijimin dhe ruajtjen e një marrëdhënieje të sinqertë.
Kur u pyet se çfarë e tërheq më shumë te një vajzë, Butrinti tha se, përtej paraqitjes, janë sytë ata që i tërheqin vëmendjen më shumë, pasi beson se shumë emocione mund të shprehen vetëm përmes tyre.
Artisti foli edhe për të kaluarën, duke pranuar se gabimi më i madh në dashuri ka qenë fakti që ka investuar shumë kohë në një person të gabuar. Ai shtoi se fundi i një marrëdhënieje është shpesh tregues se ajo nuk ishte e duhura.
Sot, sipas tij, vendimet në dashuri nuk i merr më vetëm me zemër. Ai tha se është bërë më racional dhe se besimi, respekti dhe intuita janë elementët që i konsideron më të rëndësishëm në një lidhje.
Në fund të intervistës, Butrinti u pyet se për çfarë do të ishte i gatshëm të sakrifikonte në emër të dashurisë. Ai u përgjigj se mund të hiqte dorë nga shumë gjëra që i pëlqejnë, por jo nga muzika, duke e bërë të qartë se ajo mbetet pjesë e pandashme e jetës së tij.