Ditën e sotme mësohet se Gjykata e Fierit ka ndryshuar masat e sigurisë për vajzat e përfshira në dhunimin e 17-vjeçares.
Burime për mediat bëjnë me dije se pasi u zbulua se vajzat në fjalë kishin joshur efektivë policie në Fier, Gjykata ka ndryshuar masat e sigurisë të caktuara ndaj tyre.
Konkretisht thuhet se për 19-vjeçaren, e cila në krahun e saj ka tatuazh armë të tipit AK47 kallshnikov, e cila në pamjet virale nga momenti i dhunës shfaqet duke i shkulur flokët 17-vjeçares, u caktua “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve rreth tyre.
Njëra prej 15-vjeçareve është lënë në “arrest shtëpie”. Ndërsa e treta e përfshirë në dhunimin e adoleshentes, bëhet me dije se vijon të marrë mjekimin e nevojshëm mjekësor, pasi rezultoi se kishte probleme të shëndetit mendor dhe kohë më parë ka dhunuar dhe mamanë e saj.
Siç kemi raportuar dhe mëngjesin e kësaj të premte, detaje të tjera kanë dalë në pah nga hetimet për ngjarjen e rëndë në Fier.
Sipas informacioneve të bëra publike nga gazetari Eraldo Harlica, hetimet kanë nxjerrë në pah dyshime se vajzat e përfshira nuk vepronin vetëm, por dyshohet se ishin pjesë e një skeme shantazhi.
Sipas tij, pas denoncimit të ngjarjes në polici, vajzat kanë kontaktuar një efektiv policie duke e ftuar në një hotel me pretendimin se dëshironin të diskutonin për situatën.