Kryetari i partisë “Mundësia” Agron Shehaj është kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Tiranës nga një biznesmen italian, i cili pretendon se e ka mashtruar dhe i ka shkaktuar një dëm prej 300 mijë eurosh përmes kompanisë së tij.
Shtetasi Ivo Angelo Monzani pretendon se Agron Shehaj, në bashkëpunim me Lulzim Shehajn dhe Albion Agajn përmes një skeme mashtrimi dhe zhvatjeje pasurie, kanë keqpërdorur besimin e tij duke i shkaktuar dëmin e madh monetar.
Sipas kallëzimit të publikuar nga gazetari Adriatik Doçi, Ivo Angelo Monzani pretendon se Shehaj e ka kontaktuar duke kërkuar të dhënat e kompanisë së tij, për ta përdorur për kryerjen e shërbimeve të reklamave në “Google”, pasi sipas tij, vetë kompania e Shehajt ishte bllokuar nga “Google” për shkeljen e termave dhe kushteve.
Po sipas pretendimit të shtetasit italian, Ivo Angelo Monzani, kompanisë nisën t’i fryheshin kostot, për shkak të faturave dhe pagesave që kryente nën menaxhimin nga Shehaj, duke arritur në një total prej 300 mijë eurosh. Paratë, Shehaj premtoi se do ia kthente, por një gjë e tillë nuk ndodhi kurrë, pretendon kallëzuesi.

“Së fundmi, përmes komunikimeve të drejtpërdrejta me përfaqësues të “Google Support” dhe nëpërmjet auditimit të brendshëm të account-eve të mia, kam mësuar se: janë krijuar llogari reklamuese shtesë në emrin e kompanive të mia, pa autorizim nga unë; janë shfrytëzuar kreditë reklamuese dhe mjetet e pagesës të lidhura me kartat e mia bankare për të reklamuar kompani të tjera të palës së dytë në të gjithë territorin italian; janë përdorur të dhëna identifikuese, dokumente dhe emërtime tregtare të kompanive të mia për të krijuar fushata marketingu të cilat nuk kanë asnjë lidhje me aktivitetin tim real. Pasi konstatova abuzimet, kam ndërmarrë menjëherë bllokimin e kredive në Google Ads dhe ndryshimin e kredencialeve, për të parandaluar dëme të mëtejshme.
Nga verifikimet e kryera dhe nga analiza e mënyrës së funksionimit të fushatave reklamuese rezulton se të gjitha veprimet e përshkruara janë kryer nga territori i Republikës së Shqipërisë, përmes përdorimit të kompjuterëve, pajisjeve dhe serverëve që ndodhen fizikisht në Shqipëri. Administratorët, ortakët dhe personat përgjegjës të kompanive “Pronto Intervento 24”, “Direct 24”, “LocalËeb” dhe “North Ëind” kanë kryer hyrjet dhe ndërhyrjet në llogaritë kompjuterike të kallëzueses duke përdorur adresa IP dhe rrjete interneti të regjistruara në Shqipëri, si dhe përmes pajisjeve kompjuterike që ndodhen në zyrat e tyre në Tiranë“, thuhet në kallëzim.
Italiani gjithashtu thotë se fitimet të cilat kryheshin përmes reklamave dhe apo telefonatave, kanalizoheshin në kompanitë që janë të regjistruara në Shqipëri.
Kallëzimi i shtetasit Italian, publikuar nga gazetari Adriatik Doci:



