Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, së bashku me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, drejtoreshën e gjimnazit, Majlinda Ziu, drejtues të Policisë së Shtetit, përfaqësues të arsimit, prindër dhe oficerë të sigurisë, zhvilluan një takim në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë, në kuadër të promovimit të sigurisë së të rinjve në mjediset shkollore dhe në hapësirën virtuale.
Gjatë aktivitetit u prezantua nisma e re e bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe Interpolit për sjelljen në Shqipëri të platformës “Help4You”, një instrument që synon të forcojë mbrojtjen dhe sigurinë e të rinjve.
Në bashkëbisedimin me nxënësit dhe stafin pedagogjik, Ervin Demo nënvizoi rëndësinë e krijimit të një ekosistemi institucional që garanton mbrojtjen e të rinjve, duke u mundësuar atyre të shprehen lirshëm dhe të zhvillohen në një mjedis të sigurt, si në shkollë, ashtu edhe në botën virtuale. të drejtat dhe siguria e tyre.
Vëmendje të veçantë Ervin Demo i kushtoi rreziqeve që shoqërojnë komunikimin në hapësirën virtuale, ku mungesa e kontaktit fizik mund të favorizojë sjelljet lënduese, bullizmin dhe cenimin e privatësisë.
“Në këtë botë, vetëpërmbajtja që krijoni dhe ndani ka një rëndësi shumë të madhe. Në botën virtuale, asgjë nuk mbetet domosdoshmërisht vetëm mes atyre që komunikojnë. Prandaj, është shumë e rëndësishme që ne të jemi këtu për të krijuar instrumentet e duhura, për të ndërtuar ndërgjegjësimin e nevojshëm dhe për t’ju bërë të kuptoni se ju nuk jeni vetëm”, theksoi
Ervin Demo.Në këtë kuadër, Ervin Demo bëri të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Interpolin, do të sjellë në Shqipëri platformën “Help4You”, përmes së cilës të rinjtë do të kenë mundësinë të komunikojnë në një adresë të vetme me institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe mbrojtjen e tyre.
Platforma do të funksionojë si një pikë e përbashkët komunikimi me Policinë e Shtetit, strukturat e mbrojtjes së fëmijëve, Ministrinë e Arsimit dhe institucionet e tjera përgjegjëse.
“Në këtë mënyrë, ne synojmë të garantojmë dhe të bëjmë të mundur që ju të jeni të mbrojtur dhe të rriteni në hapësira të sigurta”, deklaroi Ervin Demo, duke njoftuar gjithashtu zhvillimin e një fushate të gjerë ndërgjegjësimi në shkolla për njohjen dhe përdorimin e platformës së re.Ervin Demo theksoi se garantimi i sigurisë së të rinjve kërkon edhe përfshirjen aktive të vetë nxënësve, duke i inkurajuar ata të mos heshtin përballë rasteve të bullizmit, dhunës apo cenimit të sigurisë së bashkëmoshatarëve.
“Mbrojtja e njëri-tjetrit duhet të jetë boshti kryesor mbi të cilin ju duhet të ndërtoni një hapësirë të përbashkët dhe të sigurt. Ju duhet të bashkoheni për të mbrojtur më të dobëtin”, apeloi Ervin Demo.
Një tjetër çështje e trajtuar gjatë takimit ishte siguria kibernetike. Ervin Demo nënvizoi se kërcënimet në botën virtuale nuk janë gjithmonë të dukshme, por mund të sjellin pasoja serioze në jetën e të rinjve.
“Siguria kibernetike po merr çdo ditë e më shumë rëndësi, sepse të gjithë ne jemi të cenueshëm përballë këtij realiteti. Duhet të jemi shumë më të kujdesshëm dhe të përgatitur, të gjithë së bashku, për të garantuar një hapësirë të sigurt edhe në botën virtuale”, deklaroi Ervin Demo.
Në përfundim të takimit, Ervin Demo vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet shkollave, oficerëve të sigurisë, psikologëve, prindërve dhe Policisë së Shtetit, duke bërë të ditur se gjatë vitit 2026 janë regjistruar tregues pozitivë në drejtim të rritjes së sigurisë në shkollat e vendit.
Ervin Demo bëri me dije se numri i oficerëve të sigurisë në shkolla është rritur nga 150, disa vite më parë, në 400 aktualisht, duke ritheksuar se garantimi i mjediseve të sigurta për nxënësit mbetet një nga prioritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Shtetit.