Një ditë pas koncertit të Kanye West në Tiranë, kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave për organizimin e tij, duke e cilësuar atë si një ngjarje me ndikim ndërkombëtar që promovoi Shqipërinë në mbarë botën.
Sa i përket kritikave për 4 milionë eurot e dhëna nga qeveria, kryeministri u shpreh se këto para nuk do të kishin dalë nga arka e shtetit, nëse nuk do të ishin bërë kërcënime dhe shantazhe në rrjetet sociale.
Po ashtu, Rama nuk la pa kritikuar edhe përfaqësues të partive opozitare, duke thënë se “llapa-qorrët” nuk mund të flasin në emër të popullit shqiptar.
Rama: Tani edhe dy fjalë për 4 milionë eurot dhe për ata që bëjnë sikur nuk kuptojnë. Ndërkohë që hedhin pa pushim helm te njerëzit, duhet të përballen me faktin se ato 4 milionë euro, po, ishin një investim për të shpëtuar turizmin dhe ekonominë. Ishin një investim për të mbrojtur 80 mijë njerëz, që i kishin prerë biletat për të ardhur këtu, dhe mbi të gjitha, një investim për të mos hapur një plagë mosbesimi ndaj një Shqipërie ku i kanë sytë të gjithë dhe që mban fjalën kur organizon aktivitete ndërkombëtare.
E vërteta është se ato 4 milionë euro nuk do të kishin dalë nga arka e shtetit po të mos ishin bërë kërcënimet, shantazhet dhe fushata e dhunshme në rrjetet sociale, ku një pakicë njerëzish kujton se mund t’i imponojë me terror gjuhësor një vendi të tërë dhe kujtdo që nuk mendon si ata.
Po si mund të lejohet kjo në një vend demokratik? Të vësh një qeleshe në kokë apo të lidhësh një flamur në qafë dhe të marrësh peng Shqipërinë në emër të popullit, i cili flet me votë dhe jo me dhunë apo shantazhe, përmes disa zëdhënësve që, në rastin më të mirë, janë ‘llapa-qorrë’ të paditur dhe, në rastin më të keq, aventurierë të kapur.