Avokati Arben Llangozi ka publikuar videon e një ngjarje të rëndë tek Syri i Kaltër.
Sipas tij, një qytetar nga Kukësi dyshohet se ka dhunuar brutalisht shtetasin me iniciale A.L., i cili ushtronte detyrën e dhënies me qira të biçikletave elektrike.
“Një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën turistike të Syrit të Kaltër në Sarandë, ku një qytetar nga Kukësi dyshohet se ka dhunuar brutalisht shtetasin me iniciale A.L., i cili ushtronte detyrën e dhënies me qira të biçikletave elektrike.
Sipas informacioneve të siguruara, konflikti ka nisur pasi qytetari kishte humbur kartën e biçikletës elektrike. Në vend që të zgjidhte situatën në mënyrë normale, ai ka ngritur zërin dhe më pas ka sulmuar fizikisht A.L., duke e goditur me grushte dhe me gurë në kokë.
Goditja më e rëndë ka qenë e drejtuar në kokë dhe mund të kishte pasoja fatale. A.L. ka arritur të mbrohet duke vendosur duart përpara kokës, duke marrë goditjen kryesore në të dyja duart, të cilat, sipas informacioneve, janë thyer. Ai ka pësuar gjithashtu dëmtime të rënda në kokë dhe pjesë të tjera të trupit.
Autori i dyshuar është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe vijon të kërkohet nga Policia. Deri në këto momente nuk raportohet se ai është arrestuar.
Rasti bëhet edhe më shqetësues për faktin se në këtë zonë turistike dyshohet se ka pasur edhe më parë episode të përsëritura dhune, por pa një reagim të fortë dhe përfundimtar nga institucionet përgjegjëse. Mosarrestimi i menjëhershëm i autorëve krijon ndjesinë e pandëshkueshmërisë dhe rrit rrezikun që ngjarje të tilla të përsëriten.
Sulmi ka ndodhur për shkak të detyrës që ushtronte A.L. dhe në prani të turistëve të huaj, familjarëve dhe fëmijëve, duke dëmtuar rëndë sigurinë dhe imazhin e një prej destinacioneve më të njohura turistike në Shqipëri.
Ky rast nuk mund të mbyllet vetëm me një procedim në gjendje të lirë. Policia dhe Prokuroria duhet të veprojnë menjëherë për kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, administrimin e pamjeve filmike, sekuestrimin e mjetit të përdorur në sulm dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë penale”, shkruan Llangozi.