Një aksident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin rrugor që lidh Fishtën me superstradën Lezhë-Shkodër.
Një automjet tip “Audi” ka përplasur një monopatinë me të cilin po lëvizte një 13-vjeçar. Përplasja ka qenë e rëndë dhe i mituri, pavarësisht transportimit me urgjencë drejt spitalit, ka humbur jetën gjatë rrugës.
Drejtuesi i mjetit tip “Audi” udhëtonte nga Elbasani në drejtim të Fishtës, së bashku me bashkëshorten dhe fëmijën e mitur. Pavarësisht se automjeti ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal, ata nuk kanë pësuar lëndime.
“Rreth orës 20:10, në aksin e vjetër rrugor Blinisht–Fishtë, në fshatin Fishtë, automjeti me drejtues shtetasin E. K., rreth 33 vjeç, ka aksidentuar një të mitur, rreth 13 vjeç, i cili lëvizte me monopatinë. Si pasojë e përplasjes, i mituri ka ndërruar jetë. Shtetasi E. K. është shoqëruar në Komisariat për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave të aksidentit“,njofton policia.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dinamikës së aksidentit. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar nga policia.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet e aksidentit tragjik.