Një ditë pas koncertit të Kanye West në Tiranë, kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave për organizimin e tij, duke e cilësuar atë si një ngjarje me ndikim ndërkombëtar që promovoi Shqipërinë në mbarë botën.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Rama u shpreh se vendi nuk organizoi thjesht një koncert, por një ngjarje që, falë rrjeteve sociale dhe famës së artistit, u kthye në lajm në çdo cep të botës. Kryeministri kritikoi edhe reagimet që, sipas tij, shoqërojnë çdo aktivitet të rëndësishëm të organizuar në vend.
Sipas Ramës, ky është një keqkuptim mbi mënyrën se si funksionon zhvillimi ekonomik.
“Zhvillimi nuk është një bukë me një madhësi fikse, ku çdo euro që shpenzohet për një koncert i hiqet një pensionisti, një të sëmuri apo një nxënësi“, theksoi ai.
Rama: Mbrëmë Shqipëria nuk organizoi një koncert, por një ngjarje. Falë rrjeteve sociale dhe famës së protagonistit, ajo u bë lajm në çdo cep të botës. Por në Shqipëri, edhe këtë herë, madje më shumë se zakonisht, ngjarja u kthye në një motiv ndasie, ku një valë dhune verbale dhe marrëzie u lëshua kundër një koncerti.
Është bërë një jetë që, sa herë bëj diçka të bukur apo ndryshe, dëgjoj të njëjtin refren: njerëzit nuk kanë bukë, varfëria është në kulm, pensionistët po vuajnë, e kështu me radhë. Më pas fillojnë llogaritë absurde: sa lekë janë shpenzuar, sa do të kishin marrë pensionistët e të tjera.
Në pamje të parë, kjo qasje duket sikur qëndron dhe demagogët që mbushin pasqyrat e rrjeteve sociale krijojnë përshtypjen se kanë të drejtë. Por, përtej hipokrizisë së tyre, që është marramendëse, ky është një keqkuptim themelor për mënyrën se si zhvillohet një vend dhe si rritet një ekonomi.
Zhvillimi nuk është një bukë me një madhësi fikse, ku çdo euro që shpenzohet për një koncert i hiqet një pensionisti, një të sëmuri apo një nxënësi. Zhvillimi është aftësia për ta bërë atë ‘bukë’ më të madhe, në mënyrë që, kur të ndahet, të ketë më shumë për të gjithë.