Granit Xhaka do të mungojë në katër ndeshjet e ardhshme të Zvicrës në Nations League, pas pranimit të tij se gjatë pandemisë kishte përdorur një certifikatë të falsifikuar vaksinimi kundër COVID-19.
Mesfushori 33-vjeçar e pranoi këtë të hënë përmes rrjeteve sociale, duke shpjeguar se në atë periudhë kishte pasur frikë dhe mosbesim të madh ndaj vaksinës dhe kishte dashur të shmangte vaksinimin e detyrueshëm.
“Në atë kohë isha shumë i shqetësuar për çështjen e vaksinimit kundër COVID-19. Ndihesha thellësisht mosbesues ndaj vaksinës dhe isha i pushtuar nga ankthi dhe dyshimet”, shkroi Xhaka.
Ai e pranoi se vendimi i marrë në atë kohë ishte i gabuar.
“Sot e shoh qartë se bëra zgjedhjen e gabuar. Ishte një gabim. Më vjen keq”, u shpreh kapiteni i Zvicrës, duke shtuar se do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet për zbardhjen e çështjes.
Ndërkohë, Prokuroria Publike e Lucernës ka nisur hetimet për rastin. Autoritetet po shqyrtojnë rrethanat në të cilat është siguruar dhe përdorur certifikata e vaksinimit.
Pas deklaratës së Xhakës, Federata Zvicerane e Futbollit bëri të ditur se, në marrëveshje me lojtarin, ai nuk do t’i bashkohet kombëtares në grumbullimin e radhës në Belek të Turqisë.
“Pas deklaratës së tij personale lidhur me statusin e vaksinimit, Granit Xhaka nuk do të marrë pjesë në grumbullimin e ardhshëm të kombëtares”, njoftoi federata.
Presidenti i Federatës Zvicerane të Futbollit, Peter Knäbel, tha se e mirëpret faktin që Xhaka është i gatshëm ta sqarojë plotësisht situatën.
“Në të njëjtën kohë, arritëm në përfundimin e përbashkët se ishte në interesin më të mirë të ekipit që ky grumbullim të zhvillohej pa të”, deklaroi Knäbel.
Ai shtoi se prioriteti i kombëtares tashmë është qetësimi i situatës dhe përqendrimi te ndeshjet e ardhshme të Nations League.
Zvicra do ta nisë fushatën në transfertë ndaj Maqedonisë së Veriut të shtunën, përpara se të udhëtojë drejt Skocisë më 29 shtator.
Më pas, zviceranët do të presin në Lucernë Slloveninë më 3 tetor dhe sërish Maqedoninë e Veriut më 6 tetor.
Kështu, Xhaka do t’i humbasë katër sfidat e ardhshme të kombëtares, ndërsa Federata Zvicerane ka bërë të ditur se situata e tij do të rishikohet pas përfundimit të kësaj periudhe ndërkombëtare.
“Në fund të kësaj periudhe ndërkombëtare do ta rivlerësojmë situatën me Granitin dhe do të diskutojmë hapat e mëtejshëm”, tha Knäbel.
Zvicra do të përballet më pas me Slloveninë më 13 nëntor dhe me Skocinë më 16 nëntor, në kuadër të Nations League.
Ndërkohë, nga pikëpamja ligjore, çështja mbetet ende nën hetim dhe Xhaka prezumohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të drejtësisë.