Nga Suela Lala:
Dua të them disa fjalë për zjarrin në Tiranë, së pari si banore e një ndërtese të ngjashme dhe, rrjedhimisht, të pasigurt, me atë që u dogj po në Tiranë. Fatkeqësisht, dyshoj se ka ndonjë ndërtesë të sigurt nga zjarri në këtë qytet.
Së dyti, sepse prej vitesh vëzhgoj standardet e aksesueshmërisë dhe kam parë absurditetin e standardeve të ndërtimit dhe mungesën e respektit për sigurinë në çdo ndërtesë dhe infrastrukturë në të gjithë vendin.
- Zjarre të tilla kanë ndodhur më parë dhe do të ndodhin edhe në të ardhmen. Nuk kemi rregulla efektive për të garantuar mbrojtje nga zjarri, për më tepër, korrupsioni bën që edhe ato pak standarte të paqarta që janë në fuqi, të mos i respektojë askush. Unë jetoj në një pallat ku kafazi i shkallëve nuk ka dritare për ajrim, gjë që përbën një kërcënim të qartë për skenarë evakuimi. Pangopesia e ndertuesve e madhe dhe një shtet i korruptuar bëjnë të mundur që kafaze të ngjashme shkallësh të kenë shumica e ndërtesave të reja në Tiranë. Nën ndërtesën time, ka biznese dhe automjete, që paraqesin përsëri rrezik zjarri pa asnjë masë sigurie nga zjarri dhe edhe njëherë po e them, kjo situatë vlen për të gjithë qytetin. Dy herë jam ankuar për këtë problem dhe pas verifikimesh të pretenduara nga ana e tyre natyrisht në mungesë të plotë transparence, autoritetet nxitojnë të thonë se biznese të tilla që djegin gaz dhe materiale të tjera të ndezshme kanë leje mjedisore, çka në thelb do të përkthehej “Qepeni gojën!” Elementet e zjarrit nuk janë bërë kurrë funksionale dhe as nuk janë ndërtuar për të funksionuar ndonjëherë, por thjesht për të bërë tick, pasi autoritetet lokale i mbyllin sytë, në raste të tilla, dhe nuk interesohen aspak për sigurinë e qytetarëve, kur japin certifikata përdorimi të ndërtesave..
- A e dini se gjatë procesit të evakuimit, ata që mbeten pas në rast aksidentesh të tilla janë persona me aftësi të kufizuara, të moshuar dhe të tjerë me probleme lëvizshmërie? Siç mund ta shihni qartë nga fotografia, ne nuk kemi zjarrfikëse me kafaze të pershtashme për të siguruar shpëtimin e jetës së atyre me vështirësi në lëvizje. Pra, nëse dikush vdes, një gjë e tillë nuk vjen nga Zoti, por nga dështimi i shtetit për të ofruar ndihmë të mjaftueshme. Kam dëgjuar se në zjarrfikëset tona, shkallët nuk janë në gjendje të arrijnë në asnjë mënyrë katet e sipërme të ndërtesës, megjithatë në Tiranë është e lejueshme të ndërtohet gjithnjë e më lart. Cila është logjika e ndërtimit lart e më lart, kur nuk mund të sigurohet evakuim i sigurt në rast zjarri? Nëse ndërton për të futur njerëz brenda objektit të ndërtuar, duhet të kesh një plan edhe për t’i nxjerrë jashtë në rast emergjence.
- Kisha shpresë që ky rast do të prodhonte një debat mbi standardet dhe do të çonte në ndryshime të menjëhershme në politika, investime në zjarrfikëse të përshtatshme dhe masa të tjera sigurie, por për fat të keq nuk duket se është kështu.
- Ja çfarë thotë për këtë në nenin 11 Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, akt juridic në të cilin Shqipëria aderon që prej vitit 2012:
“Në përputhje me detyrimet e tyre sipas legjislacionit ndërkombëtar, duke përfshirë edhe ligjin ndërkombëtar për situatat humanitare dhe konventën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Shtetet Palë do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar mbrojtjen dhe sigurinë e personave me aftësi të kufizuar në raste rreziku, duke përfshirë situata të konflikteve të armatosura, emergjencave humanitare dhe fatkeqësive natyrore.”
Pra, sikurse mund të kuptohet lehtë nga formulimi i mësipërm, së drejtës së personave me aftësi të kufizuara për të kërkuar garanci mbrojtjeje në baza të barabarta me shtetasit e tjerë, i korrespondon detyrimi i shtetit për të marrë të gjitha masat e nevojshme për materializimin në praktikë të kësaj të drejte, përfshi respektimin e standardeve ndërkombëtare në fushën e ndërtimit dhe në atë të ndërhyrjeve në rast emergjence të çdo lloji, përfshi rastet e zjarrit në banesë. Aq më imperativ bëhet përmbushja e këtij detyrimi kur dihet se askush më pak se personat me aftësi të kufizuara nuk mund të jenë shkaktarë të fatkeqësive të tilla.
Të vetëdijshëm për sa më lart, u kërkoj autoriteteve të mos presin derisa të vijë fatkeqësia e radhës për të ndryshuar legjislacionin, politikat dhe praktikat në fushën e emergjencave dhe që çdo ndryshim ta bëjnë duke pasur në mendje edhe personat që në përditshmërinë e tyre përballen me barriera.