Një 68-vjeçar është larguar sot, rreth orës 15:05, nga ambientet e Spitalit “Nënë Tereza” (Godina 6-katëshe) dhe që prej atij momenti nuk është gjetur më. Familjarët kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen e 68-vjeçarit, Maksud Mulleti.
Ata bëjnë me dije se i moshuari shfaq shenjat e para të demencës, ka çorientim në hapësirë dhe nuk i mban mend mirë rrugët. Në momentin kur është larguar nga spitali, ai po merrte mjekim për shkak të një plage të shkaktuar nga këmba diabetike.
Po ashtu, familjarët bëjnë me dije se 68-vjeçari kishte veshur një bluzë me mëngë të shkurtra (T-shirt) dhe pantallona xhins. Njërën këmbë e ka të fashuar, ecën duke çaluar dhe është pa këpucë.
Gjithashtu, bëhet me dije se rasti është denoncuar zyrtarisht pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4 në Tiranë.
Qytetarët që mund ta kenë parë ose që kanë ndonjë informacion për vendndodhjen e tij, të kontaktojnë menjëherë familjarët në numrin e telefonit: +355 69 264 2189, ose të njoftojnë Policinë e Shtetit.