Një video e publikuar në rrjetet sociale nga kreu i Lëvizjes “Bashkë”, Arlind Qori, ka rikthyer në qendër të debatit situatën e tensionuar në zonën e Zvërnecit dhe Vjosë–Nartë, aty ku prej javësh vijojnë kundërshtimet për projektin turistik që pritet të zhvillohet në zonën e mbrojtur.
Në pamjet e publikuara, shfaqet një qytetar që pretendon se është dhunuar dhe larguar me forcë nga persona të paidentifikuar, ndërsa pranë zonës ndodhen edhe forca policie. Në reagimin që shoqëron videon, Qori shkruan: “Gangsterët me të zeza rrëmbejnë dhe rrahin një qytetar nga Zvërneci. Policia e Shtetit fryn sytë”.
Videoja ka nxitur reagime të shumta në rrjet, ndërsa deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me pretendimet e ngritura në postim.
Ngjarja vjen në një moment kur debati për ndërhyrjet në zonën e mbrojtur Vjosë–Nartë është intensifikuar ndjeshëm. Aktivistë mjedisorë dhe qytetarë kanë protestuar disa herë duke kërkuar ndalimin e punimeve dhe transparencë për projektin që po zhvillohet në zonë. Sipas raportimeve, protestuesit pretendojnë se ndërhyrjet po dëmtojnë habitatet natyrore dhe biodiversitetin e parkut.
Ndërkohë, Komisioni Europian ka deklaruar se po ndjek nga afër zhvillimet në Vjosë–Nartë dhe ka kërkuar informacione shtesë nga autoritetet shqiptare, duke e konsideruar mbrojtjen e zonave natyrore një element të rëndësishëm në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa në rrjet po qarkullojnë çdo ditë pamje dhe denoncime të reja nga banorë, aktivistë dhe figura publike që kundërshtojnë projektin në Zvërnec.