Debati për Zvërnecin dhe zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë është rikthyer fuqishëm në qendër të vëmendjes, pas nisjes së punimeve për projektin turistik që lidhet me investimin e Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump. Ndërsa qeveria këmbëngul se bëhet fjalë për zhvillim në pronë private dhe se gjithçka po ndiqet sipas procedurave ligjore, aktivistët e mjedisit, qytetarët dhe figura publike po e konsiderojnë situatën si një alarm serioz për natyrën shqiptare.
Brenda pak orësh, reagimet kanë shpërthyer edhe në rrjetet sociale, ku shumë personazhe të njohur kanë ngritur zërin kundër ndërhyrjeve në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës.
Efi Dhedhes reagoi përmes një InstaStory emocionuese, ku shprehet se ishte e painformuar për atë që po ndodh në Vjosë-Nartë dhe se u prek thellë sapo mori vesh lajmin.
“Më dhemb shpirti kur shoh sesi njeriu, me duart e veta, po shkatërron shtëpinë e tij”, shkruan ajo, ndërsa shton se natyra është arsyeja pse ekzistojmë dhe se njerëzit po e shkatërrojnë Tokën për interesa të tyre.

Edhe Loredana Brati ka reaguar publikisht, duke e cilësuar zonën si një pasuri të rrallë dhe pjesë të identitetit shqiptar. Në postimin e saj, ajo u bëri thirrje qytetarëve të firmosin peticionin kundër projektit.
“Ky park nuk është thjesht natyrë, por një burim jete, një pasuri e rrallë dhe një pjesë e identitetit jo vetëm të Vlorës, por të gjithë ne shqiptarëve”, shkruan Lori, duke paralajmëruar se natyra “nuk fal kur teprohet me të”.

Ndërkohë, reagimet kanë ardhur në një moment kur Komisioni Europian ka deklaruar se po ndjek nga afër situatën në Pishë Poro–Nartë. Në një reagim për Faktoje.al, KE thekson se Shqipëria duhet të tregojë kapacitet për të mbrojtur zonat natyrore në kuadër të integrimit europian dhe të respektojë direktivat për habitatet dhe biodiversitetin.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama deklaroi se shteti “nuk po fal asgjë”, pasi toka ku do të zhvillohet projekti është pronë private. Ai shtoi se investitorët janë “tejet seriozë” dhe se për ishullin e Sazanit negociatat ende nuk kanë përfunduar.
Por organizatat mjedisore vijojnë të kundërshtojnë projektin, duke argumentuar se ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, të miratuara dy vite më parë, pikërisht këtë synim kishin: hapjen e rrugës për investime të mëdha në territore që më parë gëzonin mbrojtje të plotë.
Të martën, aktivistë dhe qytetarë protestuan përpara Ministrisë së Mjedisit me thirrjen “Ndaloni punimet!”, duke kërkuar transparencë dhe pezullimin e ndërhyrjeve në zonë.