“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime.”
Këtë paralajmërim Arlinda Sylaj Zekaj ia kishte drejtuar Prokurorisë Themelore në Pejë në një letër të dorëzuar më 22 tetor. Tri ditë më vonë, më 25 tetor, 49-vjeçarja u gjet e vrarë në një banesë në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen e saj me sëpatë dyshohet kunati, Albert Sylaj, i cili, sipas njoftimeve të publikuara, ndodhet në arrati.
Letra e shkruar me dorë mbart shqetësimin e një gruaje që kërkonte mbrojtje. Arlinda shkruante se rreziku për jetën e saj vazhdonte dhe kërkonte ndërhyrje urgjente, zbatimin e një vendimi gjyqësor dhe hetimin e zyrtarëve që, sipas saj, nuk kishin përmbushur detyrat. Ajo ngrinte shqetësimin se institucionet po ia kalonin përgjegjësinë njëra-tjetrës, ndërsa siguria e saj mbetej e kërcënuar.
Pas kësaj kërkese qëndronte edhe beteja e saj për të pasur pranë të birin. Sipas raportimeve të “Sinjalit”, Arlinda dhe bashkëshorti kishin jetuar rreth dhjetë vjet në Shtetet e Bashkuara. Pas kthimit në Kosovë, marrëdhënia dyshohet se ishte përkeqësuar dhe ajo ishte përballur me dhunë në familje. Pretendimet përfshijnë dëbimin nga shtëpia, djegien e rrobave dhe pengesat për t’u bashkuar me djalin pas ndarjes.
Një procesverbal policor i 22 tetorit, i raportuar nga “Sinjali”, tregon se policët e kishin shoqëruar atë mbrëmje në banesën në Vitomiricë, por ish-bashkëshorti nuk ia kishte hapur portën. Pas konsultimit me Prokurorinë dhe vlerësimit se qëndrimi aty nuk ishte i sigurt, asaj i ishte rekomanduar të shkonte te vëllezërit. Atë natë, Arlinda ishte larguar drejt shtëpisë së tyre në Radac.
Më 25 tetor, ajo raportoi sërish dhunë në familje. Ish-bashkëshorti, Jeton Sylaj, u ndalua për 48 orë, ndërsa Arlinda kërkoi të kthehej në banesën e saj. Sipas Policisë, patrulla e shoqëroi në Vitomiricë rreth orës 20:58.
Rreth dhjetë minuta pasi zyrtarët policorë u larguan, erdhi njoftimi për vrasjen. Arlinda u gjet pa shenja jete në dhomën e gjumit. Kthimi në shtëpi u pasua nga tragjedia që ajo kishte paralajmëruar në letrën e saj.
Prokuroria ka konfirmuar pranimin e parashtresës, duke deklaruar se e kishte përcjellë për trajtim urgjent te institucionet përkatëse. Sipas saj, vendimi gjyqësor për shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë ishte ekzekutuar në bashkëpunim me Policinë. Kryeprokurorja kishte urdhëruar gjithashtu shqyrtimin e pretendimeve për përgjegjësi të mundshme penale.
Pretendimet për lëshime institucionale mbeten për t’u hetuar. Por letra e Arlindës ka mbetur si dëshmi e frikës që ajo kishte shprehur dhe e mbrojtjes që kërkonte. Tri ditë përpara vrasjes, ajo u kishte kërkuar institucioneve të vepronin sa ishte ende gjallë.