Rrethimi me tela me gjemba i një sipërfaqeje të konsiderueshme pranë lagunës së Nartës, në kufi me fshatin Zvërnec ka ngritur alarmin për shkatërrim të zonës së mbrojtur. Organizatat mjedisore dhe disa banorë të zonës dolën sërish në protestë këtë të shtunë, duke kërkuar ndërprerjen e punimeve me argumentin se po shkatërrohet natyra.
Protestuesit tentuan të hyjnë në kantier dhe u përplasën me policinë private, të kontraktuar nga kompania që po kryen investimin “Zvërnec South Adriatic Development”. Protesta ka nxitur reagim publik sepse policët privatë që shfaqen të maskuar, hedhin spraj me piper ndaj protestuesve.
Drejtori i policisë Vlorë Elidon Çela është pezulluar nga detyra përmes një vendimi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Skënder Hita. Sipas njoftimit në lidhje me protestën e sotme në zonën e Zvërnecit, u bë një raportim i gabuar nga Policia e Vlorës, e cila tha se një qytetar ishte futur me forcë brenda rrethimit të kantierit.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon ndjesë publike për raportimin e gabuar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, lidhur me qytetarin, që në fakt nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, sikundër është raportuar.
Në këto rrethana dhe pavarësisht se në të gjithë pjesën tjetër komunikata e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë është korrekte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast.
Ndërsa lidhur me pretendimet e protestës në fjalë, bëjmë me dije se janë ndjekur me vëmendje dhe territori i rrethuar rezulton pronë tërësisht private, me dokument të rregullt hipotekor, si dhe me autorizimin ligjor për rrethimin.
Prandaj përfitojmë nga rasti që t’u drejtohemi edhe qytetarëve që protestojnë, duke nënvizuar se çdo pretendim mbi një pronë private apo zhvillimin e saj, adresohet në Gjykatë.
Policia e Shtetit ka për detyrë ligjore të mbrojë integritetin e çdo prone private që zotëron dokumentacion të rregullt ligjor.
Policia thotë se dy punonjës të shoqërisë private të sigurisë janë vënë nën hetim, pasi një protestues që u fut me forcë brenda rrethimit të kantierit, e tërhoqën deri në një ambient të përcaktuar për rojet dhe është mbajtur aty brenda.
Këtu policia thotë se ndërhyri, për të nxjerrë protestuesin nga vendi I rojës, ku e mbanin punonjësit e policisë private.
Banori protestues i kallëzoi në polici, dhe blutë e Vlorës thonë se nisën hetimin për 2 punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, 35 dhe 41 vjeç, me banim në Tiranë
Policia thotë se 15 protestues janë vënë në hetim, të cilët dyshohet se kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit.