Faqja “Personazhi i Momentit” ka publikuar një postim që po bën bujë në rrjet, ku ngrihen akuza për censurë dhe ndërhyrje në media lidhur me raportimet për situatën në Zvërnec.
Sipas postimit, një artikull i publikuar në BalkanWeb, që lidhej me protestat dhe përplasjet në zonën e Zvërnecit, është fshirë pak kohë pas publikimit. Faqja ka publikuar edhe pamje ku shfaqet linku i artikullit, ndërsa më pas, sipas tyre, faqja rezulton e paarritshme dhe shfaq mesazhin se linku nuk funksionon më.
Në reagimin e publikuar, “Personazhi i Momentit” pretendon se pas fshirjes së lajmit janë marrë edhe masa në redaksi ku kryeredaktori që ka postuar lajmin është pushuar nga puna, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyet e heqjes së artikullit. Postimi përmend gjithashtu emra të njohur të medias dhe politikës, duke aluduar për interesa që lidhen me debatet e fundit mbi projektet në zonën e Zvërnecit.


Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar nga BalkanWeb apo drejtues të medias lidhur me pretendimet e ngritura në rrjetet sociale. Për pasojë, pretendimet e publikuara mbeten qëndrime të faqes në fjalë dhe nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Postimi ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet, ndërsa debati për Zvërnecin dhe projektet e shumëdiskutuara në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë vijon të mbetet një nga temat më të komentuara të ditëve të fundit.