Debati për ngjarjen në Zvërnec po merr çdo ditë e më shumë përmasa në rrjetet sociale, ndërsa së fundmi influencerja Gerta Shino ka bërë një sërë postimesh të forta në Instagram, ku ka publikuar emra, dokumente dhe pretendime lidhur me personat që dyshohet se ishin të përfshirë në incidentin ku një protestues u tërhoq zvarrë gjatë tensioneve në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë.
Në postimet e saj, Gerta pretendon se një nga personat e identifikuar është Geraldo Biba, për të cilin ndjekësit i kanë shkruar se punon si truprojë dhe lidhet me kompaninë “Major Security”. Ajo publikoi gjithashtu screenshot-e dhe dokumente ku pretendohet se pronare dhe administratore e kompanisë është bashkëshortja e tij.





Në rrjet po qarkullojnë edhe pretendime se Geraldo Biba ka qenë pjesë e sigurisë personale të Ivanka Trump gjatë vizitave dhe eventeve të lidhura me familjen Trump, megjithatë deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar publik për këtë rol.

Pas publikimit të emrave dhe dokumenteve, Gerta Shino deklaron se ka marrë mesazhe kërcënuese dhe ofenduese nga persona që, sipas saj, lidhen me të përmendurit apo me të afërm të tyre. Në disa prej story-ve, ajo shprehet se nuk do të tërhiqet dhe se po publikon vetëm informacione që i konsideron publike.
“Mos kini merak se s’ja lësh mangët”, shkruan ajo në një prej postimeve, ndërsa në një tjetër ironizon faktin që profili i kompanisë “Major Security” e kishte bllokuar pas publikimeve të saj.

Në story-n e fundit, ajo ka publikuar pamje të një tjetër personi që shfaqet pranë protestuesit të dhunuar, duke e identifikuar me emër si “Artur Grami”. “Dhunuesi tjetër”, shkruan Gerta në postim, ndërsa ka publikuar edhe një foto ku protestuesi shihet teksa tërhiqet zvarrë nga dy persona të veshur me të zeza.

Ngjarja ka ndezur debat të madh online, me shumë ndjekës që kanë reaguar pas videove të publikuara nga protestat në Zvërnec, ku shfaqen tensione mes protestuesve, policisë dhe personave të sigurisë private.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Geraldo Biba, kompania “Major Security” apo personat e përmendur lidhur me pretendimet dhe akuzat që po qarkullojnë në rrjetet sociale.