Screenshot
Një nga rojet private të përfshira në incidentin e rëndë në Zvërnec, ku një protestues u dhunua dhe u tërhoq zvarrë gjatë protestës kundër ndërtimeve në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, është arrestuar mbrëmjen e sotme.
Më herët Policia e Shtetit kishte njoftuar se dy punonjës të sigurisë private ishin proceduar penalisht për ngjarjen që shkaktoi reagime të forta publike dhe zemërim në rrjetet sociale.
Sipas pamjeve që qarkulluan online, protestuesi dyshohet se u godit fillimisht me grushte nga një roje private, duke humbur ndjenjat, ndërsa më pas u tërhoq zvarrë nga dy persona të tjerë të sigurisë. Videoja u bë virale dhe nxiti reagime të shumta nga aktivistë, qytetarë dhe figura publike.
Ngjarja ka rikthyer në qendër të debatit projektin turistik që parashikohet të ndërtohet në Zvërnec dhe Pishë Poro, zonë që prej javësh është kthyer në vatër protestash dhe përplasjesh mes aktivistëve, banorëve dhe forcave të sigurisë.
Sipas raportimeve, në zonë parashikohet ndërtimi i një resorti turistik nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, projekt që është lidhur publikisht me investitorë ndërkombëtarë, mes tyre Jared Kushner dhe Ivanka Trump.