Deklaratat e Aldor Ninit në emisionin “7 pa 5” në Vizion Plus për kompetencat e Ministrisë së Kulturës mbi përmbajtjet online kanë sjellë një përplasje publike me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.
Nini, drejtues i kompanisë Acromax Media, shprehu shqetësimin se drafti për të drejtat e autorit, i cili sipas tij ka kaluar në Parlament, i jep një strukture brenda ministrisë mundësinë të vendosë bllokimin e materialeve pa vendim gjykate.
“Më interesante, që unë u habita kur e pashë draftin final i cili ka kaluar në Parlament, është një pikë shumë e rëndësishme që është censurimi”, deklaroi ai.
Sipas Ninit, parashikohet ngritja e një zyre me, me sa ka dijeni ai, 11 punonjës, të cilët mund të vendosin për bllokimin e materialeve që vlerësohen se shkelin të drejtat e autorit. Ai theksoi se nga kjo mund të preken mediat dhe çdo faqe online.
Për të ilustruar shqetësimin, Nini ngriti skenarin e një faqeje që kundërshton qeverinë dhe që mund të bllokohet duke përdorur si argument shkeljen e të drejtave të autorit mbi një fotografi apo video.
“Domethënë, nëse tani i teket ministrisë që një faqe po kundërshton qeverinë, po shkel të drejtat e autorit me një foto, video, atëherë ajo ka të drejtë, pa mënyrë ankese, ta bllokojë”, u shpreh ai.
Pas publikimit të intervistës, Gonxhja reagoi në komentet e faqes së Vizion Plus, duke i cilësuar deklaratat “gjëpura” dhe pretendimin “keqinformues”.
Ministri argumentoi se modeli mbështetet në një direktivë europiane dhe se qëllimi është pagesa e autorëve, jo censurimi i materialeve apo kufizimi i fjalës së lirë. Sipas tij, drejtoria vepron mbi kërkesa të arsyetuara e të dokumentuara të autorëve dhe nuk merr vendime për heqjen e materialeve pa ndjekur disa hapa dhe pa marrë reagimin e palëve.
Duke kundërshtuar pretendimin për mungesën e ankimit, Gonxhja theksoi se vendimi i strukturës mund të kundërshtohet në gjykatë.
Nini iu përgjigj në komente, duke kërkuar të dinte se cila direktivë e BE-së parashikon që qeveria, përmes një zyre administrative, të vendosë bllokimin e një faqeje pa vendim gjykate.

Debati vijoi edhe në një story të tij në Instagram, ku shkroi: “Direktiva e BE-së nuk parashikon një zyrë brenda ministrisë që anashkalon gjykatën për të bllokuar mediat, @blendi.gonxhja. Kjo është shpikje shqiptare!”

Në një tjetër story, Nini kërkoi diskutim publik dhe të drejtpërdrejtë me Gonxhjan për pikat e ngritura nga të dyja palët, duke theksuar se e mirëpret dialogun, por nuk pranon komente subjektive nga përfaqësues të qeverisë. Ai u shpreh se biznesi i tij paguan taksa dhe sjell të ardhura në Shqipëri prej vitit 2011, ndërsa shtoi se u ka siguruar autorëve shqiptarë të ardhura nga BE-ja që përpara ardhjes në pushtet të socialistëve. “Në një kohë kur partia juaj ende e gjuante Kryeministrinë me gurë nga jashtë (figurativisht)”, shkroi Nini.
