Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Spanja, ku një çift i huaj është dënuar me burg pasi mbajti të izoluar tre fëmijët e tyre për gati katër vite, nga frika e pandemisë së COVID-19.
Sipas raportimeve të medias britanike The Sun, autoritetet spanjolle i përshkruan kushtet e jetesës në banesë si “çnjerëzore” dhe alarmante, ndërsa fëmijët u gjetën me probleme të rënda fizike dhe psikologjike.
53-vjeçari gjerman Christian Steffen dhe bashkëshortja e tij amerikane, Melissa Anne Steffen, 48 vjeçe, u dënuan me tre vite burg nga një gjykatë në qytetin e Oviedo, në veri të vendit, pas një procesi gjyqësor të zhvilluar me dyer të mbyllura.
Sipas hetimeve, çifti kishte izoluar tre fëmijët e tyre një djalë 10-vjeçar dhe binjakë 8-vjeçarë brenda një shtëpie për periudhën nga dhjetori 2021 deri më 28 prill 2025, me arsyetimin se po përpiqeshin t’i mbronin nga pandemia.
Prokuroria deklaroi se izolimi i zgjatur shkaktoi pasoja serioze në shëndetin mendor dhe fizik të të miturve. Gjatë kontrollit në banesë, autoritetet gjetën ambiente tepër të ndotura, me pelena, peceta sanitare dhe mbetje të tjera të shpërndara nëpër shtëpi, si edhe jashtëqitje kafshësh mbi sipërfaqe të ndryshme.

Hetuesit raportuan gjithashtu se fëmijët kishin probleme me kontrollin e fshikëzës dhe zorrëve, ndërsa kishin pësuar deformime dhe dëmtime fizike për shkak të qëndrimit për vite me radhë në shtretër të papërshtatshëm për moshën e tyre.
Një tjetër element shqetësues ishin vizatimet e gjetura në shtretërit e fëmijëve, ku shfaqeshin figura përbindëshash dhe dhëmbë të mprehtë të vizatuar me bojë të kuqe, çka sipas autoriteteve mund të reflektojë gjendjen e rënduar emocionale të tyre.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik spanjoll dhe ka ngritur debat mbi pasojat psikologjike të izolimit ekstrem tek fëmijët.