Mediet italiane publikuan sot një vendim të Gjykatës së Apelit të Barit, e cila vendosi se një fëmijë mund të ketë tre prindër duke shënuar fenomenin më të rrallë dhe të paprecedentë.
Rasti konkret ka të bëjë me një fëmijë të lindur në Gjermani, në kuadër të një “kujdesi më të gjerë prindëror”, siç shkruan shtypi. Babai i fëmijës, i martuar për më shumë se dhjetë vjet me një shtetas italo-gjerman dhe me miratimin e bashkëshortit të tij, vendosi të ketë një fëmijë me një mike të çiftit. Nuk bëhet fjalë për atë që njihet si “shtatzënia për palë të treta”, por për një zgjedhje që nuk përfshinte përdorimin e inseminimit artificial.
Fëmija, tashmë katër vjeç, u njoh nga prindërit biologjikë dhe më pas iu besua kujdesi i çiftit të meshkujve, me pëlqimin e nënës. Partneri italo-gjerman i babait biologjik mori gjithashtu “dritën jeshile” nga gjykata gjermane dhe mundi të japë mbiemrin e tij fëmijës dhe ta adoptojë atë.
Kur çifti vendosi të transferohej në Itali jugore, u shfaqën probleme në lidhje me njohjen e vendimit të gjykatës gjermane nga autoritetet lokale. Këto probleme lidhen kryesisht me dyshime se fëmija mund të kishte lindur përmes asaj që njihet si nënësia surrogatë, e cila është e ndaluar për të gjithë sipas legjislacionit italian.
Më pas, u dërgua nga Gjermania një raport i punonjësve socialë, të cilët konfirmuan se çifti i meshkujve kujdeset në çdo mënyrë për fëmijën dhe se nëna e tij ka dhënë pëlqimin që çifti ta adoptojë.
Gjykata e Apelit e Barit vendosi përfundimisht se praktika e ndjekur në Gjermani është plotësisht e ligjshme dhe në përputhje me legjislacionin italian, dhe se adopstimi është kryer duke lejuar fëmijën të ruajë marrëdhënien me nënën biologjike. Kjo është hera e parë, siç theksohet, që një gjykatë në Itali vendos se një fëmijë ka zyrtarisht tre, dhe jo dy, prindër.
Megjithatë, qarqet katolike shprehën reagime të forta ndaj vendimit. Organizata Pro Vita & Famiglia, një grup katolik që lufton për atë që e quajnë “vlerat tradicionale familjare”, dënoi vendimin gjyqësor dhe deklaroi se njohja ligjore e marrëdhënieve midis personave të të njëjtit seks ka “ndryshuar ligjin familjar, duke ekspozuar të miturit ndaj çdo lloj eksperimentimi social dhe ideologjik”.