Monika Lubonja ka thyer heshtjen për herë të parë pas ditësh të tëra polemikash të shkaktuara nga qarkullimi në internet i materialeve intime, ku emri i saj është lidhur publikisht me kompozitorin Adrian Hila.
Lubonja ka publikuar një deklaratë të gjatë në Instagram duke bërë të ditur se i është drejtuar drejtësisë.
“Ju drejtohem sot me dhimbjen e një gruaje së cilës i është shkelur besimi dhe privatësia, por edhe me vendosmërinë për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e saj”, shkruan aktorja.
Në reagimin e saj, Lubonja deklaron se nuk ka qenë në dijeni të filmimit dhe se nuk ka dhënë pëlqimin e saj për regjistrimin apo shpërndarjen e materialeve intime.
“Nuk kam patur dijeni, nuk kam dhënë pëlqim të filmohem, të regjistrohem apo që materiale intime të shpërndahen, të shiten ose të publikohen. Kam dashur dikë dhe kam besuar. Nuk turpërohem për dashurinë që kam dhënë. Më dhemb që besimi im është kthyer në armë kundër meje”, shkruan ajo.
Monika u bën gjithashtu thirrje mediave të respektojnë privatësinë e saj dhe të mos publikojnë apo spekulojnë me materialet intime, ndërsa publikut i kërkon që situata të mos kthehet në argëtim apo në një gjykim ndaj saj.
“Dinjiteti i një njeriu ndërtohet gjatë gjithë jetës dhe nuk mund të zhbëhet nga tradhtia e dikujt të cilit i fala disa vite të jetës sime”, shprehet Lubonja.

Bashkë me deklaratën, aktorja ka publikuar edhe një dokument të depozituar më 6 tetor 2026 në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Në dokumentin e publikuar prej saj, Adrian Hila figuron si i akuzuar, ndërsa referohen veprat penale të “Fyerjes” dhe “Ndërhyrjes të padrejtë në jetën private”. Dokumenti i drejtohet Gjykatës së Tiranës, Dhoma Penale.

Ky zhvillim vjen pas ditësh të tëra diskutimesh për materialet intime që kanë qarkulluar në rrjet. Sipas raportimeve të ditëve të fundit, autoritetet kanë nisur hetime lidhur me publikimin dhe shpërndarjen e materialeve, ndërsa rrethanat e regjistrimit dhe mënyra se si ato kanë përfunduar në internet janë pjesë e çështjes që po verifikohet.
Në fund të reagimit të saj, Lubonja paralajmëron se do ta ndjekë çështjen deri në fund në rrugë ligjore.
“Dinjitetin tim dhe pabesinë nuk ia fal askujt që përdori jetën time! Do e ndjek ligjërisht dhe jam e sigurt që e vërteta do flasë”, shkruan ajo, duke shtuar se pret që drejtësia të bëjë punën e saj.