Pas komenteve dhe aludimeve të shumta që kanë qarkulluar në rrjet lidhur me raportin e Fabiolës me produksionin e “Ferma VIP”, ka reaguar publikisht bashkëshorti i Arbana Osmanit, Eduart Grishaj.
Përmes një postimi në InstaStory, ai ka sqaruar se Fabiola nuk është familjare e tij dhe nuk ka pasur asnjë favorizim nga ana e produksionit për ta bërë pjesë të spektaklit.
“Asnjë kushëri apo kushërirë e imja nuk ka qenë, as nuk është dhe nuk do të jetë pjesë e ndonjë reality show ku unë jam i përfshirë si pjesë e produksionit”, shkruan Grishaj.
Më tej ai shpjegon se Fabiolën e ka propozuar për “Ferma VIP 3” për shkak të energjisë dhe potencialit që ajo ka si vajzë e re nga Malësia e Madhe, duke theksuar se gjithmonë ka mbështetur të rinjtë nga veriu dhe nga zona të ndryshme të Shqipërisë në projektet ku ka qenë i angazhuar.
“Fabiolën e kam propozuar unë për Ferma VIP 3, sepse kam vlerësuar energjinë dhe potencialin e saj si vajzë e re që vjen nga Malësia e Madhe. Nuk jam penduar për këtë zgjedhje”, vijon ai.
Regjisori dhe producenti ndalet edhe tek debatet dhe reagimet që kanë lindur pas situatave të fundit në spektakël, duke u shprehur se njerëzit mund të gabojnë, sidomos në kushte presioni emocional dhe transmetimi live.
“Nga një moment apo një gabim nuk mund të gjykohet e gjithë jeta e një vajze 23-vjeçare, familja apo vendi nga ajo vjen”, shkruan Grishaj.
Në reagimin e tij ai ka komentuar edhe mënyrën se si Arbana Osmani menaxhoi situatën në studio, duke e vlerësuar reagimin e saj si njerëzor dhe profesional.
“Arbana ajo është, njerëzore me çdo njeri në çdo situatë dhe mendoj që ai reagim ka ndryshuar qasjen e prezantimit dhe të gazetarisë në vendin tonë”, përfundon ai.
