Dritare TV është djegur. Zjarri në ambientet e Kompleksit Kika 2, ku televizioni online ndodhet me qira, la pas dëme të mëdha në regjinë e transmetimit të televizionit.
Drejtuesja e Dritare TV, gazetarja Rudina Xhunga, rrëfen momentet e vështira kur zjarri, që nisi nga tubat e aspirimit të restorantit “Fish Shop”, u përhap në regjinë e televizionit, ndërsa sapo kishte përfunduar xhirimi i dy emisioneve.
“Po digjeshim”, shprehet Xhunga, duke kujtuar momentet kur prioritet ishte nxjerrja e njerëzve jashtë, fikja e automateve dhe mbërritja e zjarrfikësve, të cilët ajo i falënderon për ndërhyrjen e shpejtë.
“Dje mbaruam dy emisione me shqetësimin se çfarë do të bëjmë në Shqipëri. Ndërkohë po digjeshim dhe nuk e kuptuam. Kishte rënë zjarri këtu te “Kika 2” ku ne jemi me qera, kishte marrë gjithë oxhaku, por zjarri vinte nga tubi i oxhakut që ësht i lidhur me restorantin që është këtu afër nesh “Fishop”. Nuk po digjeshin ata, por po digjeshim ne. Nxorëm njerëzit në fillim, erdhi zjarrfikësja në kohë rekord, i falenderoj përzemërsisht.”, sqaron gazetarja Xhunga.
Shuarja e zjarrit dhe shkrirja e tubave të shkarkimit të ujërave dhe të shiut shkaktuan përmbytjen e ambienteve. Edhe sot, uji vijon të depërtojë në hapësirat e dëmtuara.
Gazetarja bën të ditur se janë bërë kallëzime në Prokurori dhe Polici, ndërsa përmes një mesazhi u drejtohet ndjekësve të Dritare TV. “Na falni për këtë periudhë me pak aktivitet! Por do të vijojmë të jemi bashkë”, thotë drejtuesja e televizionit, Rudina Xhunga.