Një incident ka ndodhur së fundmi me gazetaren Iris Rezhda, e cila pas mbylljes së takimit elektoral të zhvilluar në Korçë nga demokratët, babai i saj është kërcënuar me jetë nga një 30-vjeçar.
Pas bërjes publike të rastit kërcënues, gazetarja Rezhda bën me dije se është përballur sërish me kërcënime me jetë, nëpërmjet mesazheve telefonike.
“Kur të të shikoj do të ta çaj ballin me tullë, mbaje mend këtë premtim. Ose po të duash hajde në Maliq, të ta … njëherë listën e dasmës. Kur të dalësh nga pallati sigurohu 2-3 herë, herën e parë që do të neglizhosh, do të të q**** motra. Do hash dru 15 minuta nga katër persona” shkruhet në mesazhin kërcënues.
Për rrjedhojë të situatës, gazetarja ka depozituar denoncim në komisariatin e policisë Korçë.
“Nuk doja të arrija deri këtu, por tani jam e detyruar të flas. Pas asaj që ndodhi dje gjatë ushtrimit të detyrës sime si gazetare, tashmë kërcënimet nuk janë drejtuar vetëm ndaj meje.
Kanë nisur të prekin edhe familjarët e mi. Kur preket familja, situata merr një tjetër dimension. Për këtë arsye, bashkë me babain tim Refit H. Rezhda, kemi bërë kallëzim në polici dhe kemi vënë në dijeni autoritetet për gjithçka që ka ndodhur.
Unë nuk kam frikë të bëj punën time. Por askush nuk ka të drejtë të përdorë familjen time për të më intimiduar apo për të më bërë të hesht.
Dua ta them shumë qartë: presioni ndaj meje nuk do të më bëjë të heq dorë nga profesioni im dhe kërcënimet ndaj familjes sime nuk do të më mbyllin gojën. Familja ime nuk është pjesë e punës sime dhe askush nuk ka të drejtë ta bëjë atë pjesë të saj!”, shkruan Rezhda në reagimin e saj.
Në lidhje me këtë situatë ka reaguar dhe policia e Korçës e cila bën me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq, menjëherë pas kallëzimit të bërë nga shtetasi R. R., 69 vjeç, nisën procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit A. K., 30 vjeç, banues në Maliq, për veprën penale “Kanosja”.
“30-vjeçari, gjatë ditës së sotme, ka kanosur me mesazh në rrjetet sociale shtetasin R. R., 69 vjeç, babain e shtetases I. R., gazetare.
Ky shtetas dyshohet se e ka kanosur 69-vjeçarin për shkak të detyrës së vajzës së tij, shtetases I. R., e cila, ditën e djeshme në Korçë, gjatë ushtrimit të detyrës si gazetare, pati një konflikt verbal me një deputet, në përfundim të një aktiviteti elektoral.”, njoftoi Policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për garantimin e sigurisë së gazetarëve dhe mbrojtjen e tyre gjatë ushtrimit të detyrës, në përputhje me ligjin.
Kujtojmë se kryetari i PD-së Sali Berisha së bashku me demokratët ishte në Korçë më 2 tetor, ku mbajti Foltoren e Ripërtëritjes së Partisë Demokratike dhe sipas reagimeve nga vetë gazetarja dhe Policia, thuhet se ngjarja ka ndodhur pas një aktiviteti elektoral, që përkon me takimin në fjalë. Megjithatë ende nuk dihet autori që ka kërcënuar gazetaren, por referuar situatës është qartazi e dukshme që është simpatizant i PD-së.