Familjarët e 17-vjeçares nga Fieri që u dhunua brutalisht nga bashkëmoshataret brenda një banese, kërkojnë drejtësi dhe hedhin akuza për neglizhencë ndaj institucioneve përgjegjëse.
Ata shprehen se ngjarja është denoncuar menjëherë në Policinë e Fierit, për javë të tëra nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret.
Gjithashtu pretendojnë se edhe Spitali Rajonal i Fierit, ku 17-vjeçarja u paraqit fillimisht për ndihmë mjekësore me hematoma dhe shenja të dukshme dhune në trup, nuk ka njoftuar organet ligjzbatuese për rastin.
“Më merr burri në telefon dhe më thotë: ‘Goca është në spital.’ E pyeta pse ishte në spital, por ai më tha se nuk e dinte. Më vonë shkova ta merrja. Kur e pashë, kishte buzën e çarë dhe pas veshëve i kishte të zinj. E pyeta: ‘Ku je bërë kështu?’ Ajo më tha se kishte shkuar në spital, i kishin bërë mjekimin dhe më pas kishte dalë,”shprehet e ëma.
Pas denoncimit në Policinë e Fierit, vajza është marrë në pyetje në prani të një psikologe, ndërsa efektivët kanë dokumentuar edhe shenjat e dhunës në trupin e saj. Familjarët thonë se u është premtuar se çështja do të ndiqej menjëherë por, sipas tyre, ditët kaluan pa asnjë njoftim zyrtar.
“Vemi bashkë në polici. Ka qenë data 8 qershor. Bëmë denoncimin. Qëndruam aty rreth tre orë. Vajza foli edhe me psikologen, i morën deklarimet dhe i bënë filmime. Ajo tha: ‘Mua më ka dhunuar.’ Policia i filmoi edhe shenjat në trup, përfshirë shpinën. Në fund na thanë: ‘Shkoni në shtëpi, sepse çështja do të zgjidhet nesër.’ “Kaloi një ditë, kaluan dy ditë, por Policia e Shtetit nuk na lajmëroi për asgjë. Prisja që të na kontaktonin si prindër, por nuk morëm asnjë njoftim, absolutisht asnjë lajm,” deklaron ajo.
Sipas saj, vajza ka deklaruar se dhuna ndaj saj ishte filmuar nga autoret e dyshuara, por për javë të tëra nuk u mor asnjë masë nga policia.
“Shkova në Policinë e Fierit dhe kërkova oficerin ku kisha bërë denoncimin, por më thanë se nuk ishte aty. Më thanë vetëm se provat ishin dërguar në Prokurorinë e Fierit. Kërkova të dija kush ishte prokurori që kishte marrë çështjen e vajzës sime, por më thanë se nuk e dinin. U ktheva disa herë në polici për të pyetur se çfarë ishte bërë me videon dhe me denoncimin, por nuk mora asnjë përgjigje. Ka kaluar gati një muaj nga denoncimi dhe unë nuk kam marrë asnjë zgjidhje,” tha ajo.
Nëna e 17-vjeçares pretendon se reagimi i institucioneve erdhi vetëm pasi ngjarja u bë publike në media. Ajo thotë se për shkak të frikës dhe pasigurisë, vajza është strehuar tek të afërmit. Po ashtu kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësi të autoreve të ngjarjes.
“Sot kërkoj që drejtësia për vajzën time të vihet në vend. Sot ndodhi me vajzën time, nesër mund t’i ndodhë një fëmije tjetër. Po sikur vajza ime të kishte vdekur nga dhuna që iu ushtrua? Unë do të vazhdoj të kërkoj drejtësi deri në fund, derisa të zbardhet e vërteta për vajzën time. Vajza ime nuk është kriminele; ajo po shkonte të ndiqte një kurs, jo të dhunohej nga tre vajza.”